Analisti, Ismail Tasholli në Debat Plus në RTV Dukagjini ka thënë se ka dilema se si Gjykata Speciale është instaluar përbrenda.
“Shpeshherë ne po themi që e kemi votuar vet, por Gjykata Speciale është si AliExpress, kur porosit diçka tjetër e të vjen diçka tjetër. Në momentin kur është votuar, është besuar në drejtësi se ne s’kemi alternativë tjetër si shoqëri duhet me ditë… veç drejtësinë e kemi”.
“Kur është propozuar nuk është bërë me dije se prokurori serb do të marr medalje për bashkëpunimin e mirëfilltë që e kanë pas ndër vete. Do të thotë se kur është votuar[nga deputetët e Kuvendit të Kosovës] nuk e kanë dit që zyra e Hagës do të jetë edhe në Beograd. Kur e kanë votuar nuk e kanë dit që Drecun-i ka dërguar me thasë material atje. Do të thotë është një lojë dhe një kontekst që i ka fut të gjitha palët brenda një kurthi të asaj që sot quhet “Ndërmarrje e përbashkët kriminale’”, ka thënë Tasholli.
Ai ka rikujtuar disa intervista të Sllobodan Millosheviqit dhënë mediave ndërkombëtare në prag të bombardimeve të NATO-së.
“Millosheviq e jep intervistën e famshme, ku në pyetjen se çka është UÇK-ja? Në përgjigjen e tij në gjuhen angleze thotë ‘Asgjë’. Janë disa djem të underground-it që janë dilera të drogës e të armatimit e që po duan për hesape ekonomike me e kallë një luftë në Ballkan”, ka deklaruar tutje Tasholli.