LAJMI I FUNDIT:

Tarashaj ‘mbret’ i derbit të Cyrihut

Tarashaj ‘mbret’ i derbit të Cyrihut

Shani Tarashaj edhe njëherë ka treguar aftësitë e tij të jashtëzakonshme për shënimin e golave.

Ylli kosovar i Grasshopperit ka shënuar edhe në ndeshjen e tretë radhazi në derbin e Cyrihut për ekipin e tij në përballje me rivalin lokal Zurich 4-2.

Talenti ynë ka arritur të shënoi golin e tretë në këtë sfidë, pasi u shërbye mirë nga bashkëkombësi i tij Florian Kamberi, ndërsa tek goli i katërt asistoi për kroatin Basic.


Edhe në dy derbit e kaluar Tarashaj ka qenë vendimtar në fitoren e GC përballë rivalit lokal dhe të urryer.

Në nëntor të vitit të kaluar, 20-vjeçari realizoi përsëri golin e tretë në fitoren 5-0 të Grasshopperit.

Ndërkohë ndeshja e parë e këtij edicioni mes dy ekipeve ishte e pa harruar për prizrenasin, i cili shënoi dy gola në fitoren 3-2 të Grasshopperit.

Kështu realizuesi i 11 golave në këtë edicion në elitën e futbollit zviceran ka marrë tani edhe një nofkë, si ‘Mbreti i derbit’ të Cyrihut, pasi në tri ndeshje ka arritur t’i shënoi katër gola dhe të dhuroi dy asistime.

Skuadra rivale e Grasshopperit, Zurich do të ndihet e cliruar vitin e ardhshëm pasi Tarashaj do të jetë pjesë e Evertonit dhe për ta do të jetë një rrezik më pak.

Kujtojmë që Tarashaj iu bashkua skuadrës së njohur angleze Everton gjatë afatit kalimtar të janarit nga GC për katër milionë euro, por që ka mbetur si huazim në skuadrën amë deri në fund të stinorit. /Telegrafi/