Takim Rama-Topalli, batuta pë integrimin dhe për… gratë

Takimi ishte lajmëruar që të niste në orën 12:00. Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kreu i OSBE-së, Eugen Volfarth mbërritën pak minuta përpara, por u detyruan që të prisnin pjesëmarrësit e tjerë që konferenca të niste punimet. Pasi kaluan disa minuta përtej orarit që ishte parashikuar, kryetari i PS-së ka hedhur sytë nga ambasadori i OSBE-së për të nënkuptuar se pse takimi s’po nis. Ky i fundit i ka kërkuar kryesocialistit që të presin dhe pak. “Kur pret ti qe je gjerman, unë në rregull jam”, ka replikuar Rama duke iu referuar mungesës së Topallit.
Më tej, punonjësja e protokollit të prezencës së OSBE-ODHIR, e cila merrej dhe me organizimin e konferencës, iu është afruar Edi Ramës dhe Eugen Volfarth për t’i kërkuar që të prisnin 2-3 minuta dhe më pas të fillonte aktiviteti, pasi mungonte kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ishte duke ardhur. Pas këtij lajmërimi, duke buzëqeshur Rama tha se “po si e ka 2-3 minuta ajo, me të reja apo me të vjetra…”.
Ndihmësja e ka kreut të OSBE-së e përktheu këtë batutë dhe kërkoi mirëkuptimin e kreut të opozitës për të pritur pak më shumë, pasi sipas tij, “gratë duheshin respektuar”. Por, kreu i selisë rozë nuk e ka lënë me kaq këtë bisedë, madje ai ka këmbëngulur sërish përmes batutave të tij, por këtë herë duke ngritur pak tonalitetin e zërit dhe duke iu drejtuar garave të pranishme me fjalët: “Po këto në sallë çfarë janë…”. Kjo batutë e Ramës shkaktoi të qeshura në sallë.
Pasi kishin kaluar rreth 30 minuta, kryetarja e Kuvendit i është afruar panelit të të ftuarve dhe i ka zgjatur dorën kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ky i fundit, gjatë shtrëngimit të duarve, ka preferuar që ta presë me një batutë kryeparlamentaren duke iu drejtuar me fjalët: “He moj Jozefinë, kush e vonon integrimin tani”. Jozefina Topalli nisi të qeshë dhe iu përgjigj kryetarit të opozitës duke thënë: “Ti, ti”.
Dy politikanët, të cilët ditët e fundit kanë shkëmbyer replika në distancë, nuk kanë diskutuar gjë tjetër midis tyre. Në panelin e të ftuarve ishte i pranishëm dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Midis Metës dhe Ramës nuk ka pasur ndonjë kontakt apo përplasje gjatë momentit të zhvillimit të konferencës së organizuar nga prezenca e OSBE-së.
Batutat e shkëmbyera me Eugen Volfarth dhe me Jozefina Topallin, nuk kanë qenë të vetmet nga Edi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste ka pasur një tjetër shkëmbim fjalësh me një tjetër të pranishëm, me ministrin e Punëve Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera. Ministri i qeverisë Berisha, i cili është anëtar i shoqatës së minoriteve grek OMONIA, është përshëndetur nga lideri i socialistëve në greqisht. “Ti kanis”,- është shprehur Rama duke buzëqeshur, ndërsa Ksera i është përgjigjur në të njëjtën gjuhë me fjalët: “kala, kala”. /Shekulli/Telegrafi/




















































