Tahiri: Qeveria po e shndërron krizën në “lojë numrash”

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kritikuar qeverinë për mos veprim pas rritjes së çmimit të naftës.
Ai tha se kjo është krizë dhe barrë e madh për qytetarët.
Sipas tij, kjo situatë është prapë mundësi “e lojës së numrave gjoja se për zhvillim ekonomik”.
Në këtë seancë të jashtëzakonshme, Tahiri tha se nuk flitet vetëm për rritjen e çmimit të naftës por edhe për “kulturën e papërgjegjësisë serioze të qeverisë”.
“Duhet me thanë hapur se krizën të cilën sot e kemi në Kosovë, kjo krizë është barra më e madhe për qytetarët e Kosovës dhe se kjo krizë, në njëfarë forme, po kthehet në një mundësi prapë të lojës së numrave, gjoja se për zhvillim ekonomik. Pse po e them këtë? Po trajtoj pak reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, unë përfaqësoj këtë subjekt politik, dhe dhjetë ditë më parë, me datën 23 mars, i kam dërguar një letër ministres përgjegjëse, zonjës Kusari-Lila, dhe ministrit të Financave, duke i elaboruar katër masa që janë bukur të rëndësishme mendoj dhe që janë reale dhe që nuk e prekin në esencë atë që po thuhet se dëmtohet shteti i Kosovës, aspekti i të hyrave. Kosova e ka akcizën 33.5 për qind. Sot, çështja më e vogël që kisha pritë, reagimi më i vogël që kisha pritë prej kësaj qeverie, prej këtij kryeministri, është me ardhë me një amandament, qysh po kërkojnë me bë përjashtim për ligje të caktuara, me bë përjashtim dhe me votu një amandament ku akcizën e zvogëlojmë, ose e largojmë tërësisht, këtë kishim mundur me diskutu derisa kriza të përballet“, deklaroi Tahiri. /Telegrafi/


















































