Sulmuesi Baton Zabërgja thotë se të gjithë yjet e Kosovës duhet të japin mbi 100 për qind për ta realizuar ëndrrën e tërë kombit shqiptar dhe të dërgojnë “Dardanët” në Kupën e Botës 2026.

Zabërgja mungoi muajin e kaluar shkaku i lëndimit, mirëpo bëri paraqitje fantastike kur u inkuadrua në barazimin 1-1 ndaj Zvicrës, ku edhe kishte një rast shënimi për t’i mposhtur përfundimisht “Helvetikët”, sidoqoftë Kobel me pritje fantastike ia mohoi golin.


Anësori i Metalist 1925 në një intervistë për Telegrafin ka lavdëruar bashkëlojtarët për paraqitjet e bëra në tërë këto kualifikuese.

“Unë besoj se paraqitje të mirë kanë pasur të gjithë bashkëlojtarët, andaj jemi këtu ku jemi së bashku si grup. Sa i përket rastit që kisha me Zvicrën, pa dashur të justifikohem, futbolli i ka këto – nganjëherë ndikohesh edhe nga dëshira e madhe për të shënuar pastaj gjërat nuk ecin siç dëshiron”.

Në gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës, Kosova ka përballë Sllovakinë. Ish ylli i Gjilanit është i sigurt se “Dardanët” mund ta mundin Sllovakinë.

“Besoj shumë te bashkëlojtarët e mi, grupin që ka formuar trajneri Foda dhe do të jemi arrë e fortë për këdo. Në Sllovaki shkojmë padyshim për fitore, dashtë Zoti të ruhet forma e të gjithë bashkëlojtarëve dhe mos të kemi ndonjë mungesë”.

I pyetur se kë preferon në finalen e mundshme në Prishtinë, Zabërgja shtoi se nuk ka rëndësi – pasi muaj mars është i historisë në Kosovë dhe me punë do t’ia dalim për të shkuar në Botëror.

“Sa i përket finales së madhe që do të kemi fatin ta luajmë në “Fadil Vokrri” para tifozëve, po e them me tërë qënien se çdo bashkëlojtarë duhet ta llogarisë këtë finale “Jetë a vdekje” dhe pak rëndësi nëse luajmë me Rumaninë apo Turqinë”.

“Muaji mars për Kosovën është muaji i kthesave historike, prandaj besoj se datën 31 mars 2026 do të vendosim në vazhdën e datave historike të popullit tonë, do të jemi në Botëror”.

Për fund, ai premtoi se të gjithë lojtarët “do ta japin edhe atomin e fundit” për ta bërë krenar tërë popullin shqiptar.

“Është një moment historik dhe nuk duhet ta lëshojmë nga dora. Jemi gjeneratë që duhet ta shijojmë Botërorin dhe për këtë duhet ta shkrijmë atomin e fundit, që jo vetëm Dardanët dhe populli brenda Kosovës, por i tërë kombi shqiptar të ndjehet krenar”, përfundoi Zabërgja për Telegrafin.

Ndërkohë, Kosova përballjen në udhëtim te Sllovakia do ta zhvillojë më 26 mars, kurse finalja e mundshme më 31 mars 2026./Telegrafi/

telegrafi sport app