LAJMI I FUNDIT:

Sulmuesi me lopatë suspendohet përjetë

Sulmuesi me lopatë suspendohet përjetë

Komisioni Disiplinor (KD) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e ka dënuar përjetë ekonomin e klubit të futbollit nga Drenasi, Ferronikeli, Elami Limanin.

KD-ja vendimin e mori të hënën ndërsa është bazuar në raportet e mbledhura nga personat zyrtarë të ndeshjes së xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Ferronikelit dhe Gjilanit (1:1), ndeshje kjo e zhvilluar më 21 nëntor në stadiumin "Rexhep Rexhepi" në Drenas.

Siç shkruan në arsyetimin e KD-së, Limani ka ushtruar dhunë mbi lojtarin e Gjilanit, Betim Haxhimusa, ku ky i fundit edhe ka marrë lëndime trupore, shkruan sot Koha Ditore. Limani siç është njoftuar, kishte sulmuar Haxhimusën me lopatë në hyrje të zhveshtoreve të stadiumit të Drenasit.

Haxhimusa ditë më parë iu nënshtrua një operimi në dorën e majtë nga lëndimi që kishte marrë nga goditja siç është thënë me lopatë. Vendimi i Disiplinorit nënkupton se Limani nuk do të mund të kryejë më ndonjë funksion në futboll.


"Dënohet me përjashtim nga organizata e futbollit dhe ai nuk mund të kryejë asnjë funksion (detyrë) në klub lidhur me aktivitetet e organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës", thuhet në vendimin e KD-së.

KD-ja pos dënimit për Limanin, ka marrë vendim që ta dënojë klubin e Ferronikelit me zhvillimin e një ndeshjeje jashtë fushës së vet dhe me të holla prej 800 eurove.