Të paktën 50 persona, përfshirë 33 fëmijë, janë vrarë në Sudanin jugor pasi një sulm me dron nga forcat paraushtarake goditi një çerdhe në shtetin Kordofan Jugor.

Rrjeti i Mjekëve të Sudanit thotë se paramedikët në vendngjarje në qytetin Kalogi u shënjestruan gjithashtu nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në një "sulm të dytë të papritur".


Grupi i të drejtave të njeriut “Emergency Lawyers” raportoi se një “vend i tretë civil” pranë dy sulmeve të mëparshme ishte gjithashtu në shënjestër.

Numri i të vdekurve pritet të jetë më i lartë, por ndërprerjet e komunikimit e kanë bërë të vështirë konfirmimin e numrit të plotë të viktimave.

Avokatët e Emergjencave thonë se sulmet janë një "shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë mbrojtjen e civilëve, veçanërisht fëmijëve, dhe infrastrukturës jetësore civile".

UNICEF u ka kërkuar të dyja palëve që t’i ndalin menjëherë sulmet dhe të lejojnë akses të sigurt për ndihmat humanitare.

"Vrasja e fëmijëve në shkollën e tyre është një shkelje e tmerrshme e të drejtave të fëmijëve", tha përfaqësuesi i UNICEF për Sudanin, Sheldon Yett.

"Fëmijët nuk duhet ta paguajnë kurrë çmimin e konfliktit."

Ndryshe, sulmi ndaj çerdhes është ndër më të fundit në konfliktin dyvjeçar midis RSF-së dhe ushtrisë së Sudanit.

Qindra civilë janë vrarë në javët e fundit, ndërsa luftimet u zhvendosën nga Darfuri , pas marrjes së dhunshme të qytetit të Al Fashir nga RSF-ja , e cila u shënua me ekzekutime të civilëve, përdhunime, sulme seksuale dhe mizori të tjera.

RSF dhe ushtria sudaneze kanë luftuar për pushtet mbi vendin që nga viti 2023, ku janë vrarë më shumë se 40,000 njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, megjithëse numri i vërtetë i të vdekurve pritet të jetë më i lartë.

12 milionë njerëz janë zhvendosur. /Telegrafi/