Në Beograd, po mbahen dy protesta paralele të studentëve - atyre që kundërshtojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiqit dhe të atyre që janë besnik të tij, të njohur më mirë si “studentët që duan të mësojnë”.

Fronti Jeshil-Majtist publikoi në rrjetin social X një video ku shihet një grup të rinjsh duke kapërcyer gardhin dhe duke dalë nga kampi i rrethuar pranë parkut Pionier.


Në atë kamp, afër presidencës, ndodhen "Studentët 2.0" ose, siç e kanë deklaruar vetë, "studentët që duan të mësojnë".

"Studentët duket se nuk duan të mësojnë. Besnikët po refuzojnë bindjen", shkruan Fronti Jeshil-Majtist në X.

Në videon e publikuar nga ky front, të rinjtë dalin nga kampi dhe largohen në drejtim të panjohur.

Kujtojmë se kampi u rrethua mëngjesin e sotëm edhe me traktorë, ndërsa më herët ishte i rrethuar me gardh.

"Studentët që duan të mësojnë" u takuan dje me presidentin e Serbisë, Vuçiq, i cili u kërkoi atyre të largohen nga kampi të shtunën, më 15 mars, dhe të kthehen të dielën. Në përgjigje, "Studentët 2.0" thanë se do të qëndrojnë.

Ndryshe, studentët, të cilët janë duke protestuar që nga fundi i vitit të kaluar, nisën protestat pas rrëzimit të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Që atëherë, ata janë mbledhur në numër të madh në qytete të ndryshme të Serbisë, veçanërisht në Beograd, Novi Sad dhe Kragujevc. /Telegrafi/