Spekulimet se Maradona ishte nën ndikimin e kokainës, temë edhe në Dueli Botërorit

Derisa në rrjetet sociale janë përhapur thashetheme se Diego Maradona kishte qenë nën ndikimin e kokainës në ndeshjen ndërmjet Argjentinës dhe Nigerisë, legjenda argjentinase e ka sqaruar arsyen e kolabimit të tij.
Kjo çështje ka qenë temë edhe në emisionin Dueli Botërorit, ku mysafirët dhe analistët kanë dhënë mendimet e tyre.

Trajneri Bylbyl Sokoli ka thënë se fotografitë e publikuara dhe sjelljet e legjendës nuk janë të mira për imazhin e futbollit në përgjithësi.
Natyrisht se fansi i tij i madh, Ismet Munishi, i ka dalë në mbrojtje duke thënë se anglezët shkruajnë keq për të, pasi vazhdojnë të mbajnë inat për eliminimin që Argjentina ua ka shkaktuar në Botërorin e vitit 1986, pikërisht me Maradonan në krye.
Kujtojmë që në çerekfinale të vitit 1986, Maradona ia shënoi dy gola Anglisë në fitoren prej 2-1 të Albicelestëve.

Ndërkaq, legjenda argjentinase ka thënë se arsyeja e kolabimit të tij kanë qenë disa gota verë që i kishte pirë.
Nga ana tjetër, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë vazhduar të spekulojnë se në xhamat para tij kishin mbetur shenja të pluhurit të bardhë - duke aluduar në kokainë. /Telegrafi/












































