LAJMI I FUNDIT:

Specialistja e shëndetit publik, Gjini-Beeley: Brengosëse përhapja e variantit të ri të coronavirusit

Specialistja e shëndetit publik, Gjini-Beeley: Brengosëse përhapja e variantit të ri të coronavirusit

Përqindja e personave me variantin e ri të coronavirusit po rritet shumë shpejt dhe kjo ka shkaktuar brengosje.

Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ardiana Gjini-Beeley, specialiste e shëndetit publik në Britaninë e Madhe, njëherësh ligjëruese për shëndetin publik në University of Cardiff.

Ajo thotë se simptomat e këtij varianti janë të njëjta me atë paraprak, derisa përhapja e tij është dukshëm më e shpejtë.


Sipas saj, deri më tani studimet laboratorike-virologjike po tregojnë se ky mutacion në virus ka shkaktuar një aftësi të virusit për t‘u shpërndarë më lehtë dhe më shpejt se virusi i rëndomtë. Ky variant ka ndryshuar një prej proteinave në sipërfaqen e virusit dhe kjo po shkakton si duket një shpërndarje më të shpejtë.

“Deri tash, në disa rajone të Mbretërisë së Bashkuar kemi një përqindje të konsiderueshme të individëve të infektuar me variantin e ri të coronavirusit. Ajo çfarë po na bën më të vëmendshëm dhe është më brengosëse është fakti se kjo përqindje e individëve me këtë coronavirus po rritet shumë shpejt. Domethënë varianti i ri i coronavirusit po dominon në epidemiologjinë e coronavirusit në Mbretërinë të Bashkuar, në ato vende ku ka shkaktuar një shpërthim më të madh. Nuk e dimë se sa është në të vërtetë përqindja e rasteve me këtë virus, mirëpo situata po monitorohet shumë afër”, tha ajo.

Sipas saj, sa i përket paraqitjes klinike të sëmundjes që coronavirusi shkakton, nuk ka ndryshuar deri tash. “Nuk kemi të dhëna se paraqitja klinike e sëmundjes është ndryshe nga virusi i rëndomtë. Janë simptomat klasike, të njëjta. Ajo çfarë ka ndryshuar është shpejtësia e përhapjes, kurse pasqyra klinike jo”.

Ndërkaq, në lidhje me testimin, a përdoret infrastruktura e njëjtë për testimin e variantit të ri të coronavirusit, Gjini-Beeley tha “Mostrat që merren nga fyti apo nga hunda janë të njëjta, mostra nuk ka ndryshuar. Testimi për të parë se a është antigjen bartës është i njëjti: PCR. Por, për të vërtetuar apo për të bërë sekuentimin gjenomik, ato mostra i nënshtrohen një analize shtesë. Jo të gjitha mostrat i nënshtrohen kësaj analize.

Ne, për shembull, në monitorimin e epidemiologjisë, përkatësisht unë në punën time, kërkoj këtë analizë shtesë të ndonjë shpërthimi më kompleks ose kur dua të shikoj nëse një shpërthim në një lokacion a është i lidhur me raste tjera gjetiu, atëherë unë kërkoj që laboratori të bëjë analizën shtesë.

Tash kur kemi vërejtur se kemi një përqindje në rritje të të infektuarve me këtë variant të ri me coronavirus, po zhvillojmë një qasje të “testimit sipas përzgjedhjes”, me qëllim që ta monitorojmë në mënyrë sa më të gjerë se si po shkon epidemiologjia e coronavirusit”.

Ndërsa, duke folur rreth masave kundër pandemisë që janë ndërmarrë në Kosovë, specialistja e shëndetit publik në Britaninë e Madhe tha “Secila qeveri i kërkon dhe adapton masat parandaluese, mbrojtëse dhe reaguese në bazë të kontekstit të përgjithshëm të vendit dhe shoqërisë. Nuk është vetëm epidemiologjia ajo që e udhëheq politikën shëndetësore, por në këtë rast është një ndër komponentët më të rëndësishme.

Epidemiologjinë e cakton një mori faktorësh, por tre janë kryesorë: agjenti – që është virusi, nikoqiri – njeriu dhe ambienti.

Prej këtyre tre faktorëve, në Kosovë dy prej tyre janë më të ndryshëm sesa ta zëmë në Mbretërinë e Bashkuar, ata janë: nikoqiri dhe ambienti. Kjo, për faktin se demografia e Kosovës është shumë më ndryshe se shumica e vendeve të Evropës Perëndimore, ne kemi një popullatë më të re. Kjo, në këtë pandemi ka qenë përparësi për Kosovën pasi shkalla e sëmundshmërisë së rëndë te personat në moshë të re është shumë më e ulët sesa te personat me moshë të shtyrë.

Ambienti po ashtu është shumë ndryshe, pasi në Kosovë nuk kemi grumbullime të njerëzve në moshë të shtyrë sikurse kemi në Evropën Perëndimore, siç janë shtëpitë e pleqve ku jetojnë me dhjetëra banorë.

Pastaj, nuk ka grumbullime të popullatës sikurse në vendet Perëndimore, për shembull, në stacione treni dhe stacione tjera ku çdo ditë grumbullohen me dhjetëra-mijëra njerëz dhe shumë elemente tjera që krijojnë ambient më të përshtatshëm për përhapjen e coronavirusit. Këto janë dy elemente me përparësi për Kosovën.

Ajo që nuk shkon në favor të Kosovës është sistemi shëndetësor që është natyrisht më i ndjeshëm sesa sistemet e zhvilluara në vendet e Evropës Perëndimore. Unë si profesioniste që po merrem me kontrollin e COVID-19 kisha preferuar që Qeveria e Kosovës të kishte marrë masa parandaluese më të qarta, sidomos tash para Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri”.

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Siguri
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Kronika e Zezë
Kalo në kategori