Ekipi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera kompetente sot do ta vazhdojnë aksionin për të mbledhur mbetjet e aeroplanit “Cesna”, i cili dje u rrëzua në “Majën e Selanikut”, ku edhe humbën jetën katër shtetas të Bullgarisë.
Aksioni mbrëmë u ndërpre për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe terrenit të paarritshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Aeroplani Cesna, për të cilin në orën 16:16 nga M-NAV u paraqit se ka humbur nga radari, ndërkaq ka fluturuar nga Ohri drejt Sofjes, nga pjesëtarët e MPB-së është locuar pak pas orës 19:00, rreth pesë kilometra në veriperëndim të Majës së Selanikut”, tha mbrëmë në konferencë zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.
Ai tha se nga Ohri kanë fluturuar katër persona – shtetas të Bullgarisë, në mesin e të cilëve edhe një person i mitur./Telegrafi/