E premtja, data 13, një ditë që edhe njerëzit më racionalë i bën të ndalen për një çast para se të kalojnë rrugën apo të vendosin çelësin në bravë

Edhe pse paragjykimet që e rrethojnë këtë datë nuk janë aq të vjetra sa vetë njerëzimi, mitet dhe simbolika që lidhen me të janë rrënjosur thellë në kulturën moderne.


Në vitin 2025, kjo ditë "ogurzezë" ndodh vetëm një herë, pikërisht sot, më 13 qershor, çka e bën edhe më të veçantë dhe, për disa, më shqetësuese.

Si lindi frika nga e premtja, data 13?

Një nga teoritë më të përmendura na çon në Mesjetë, konkretisht në vitin 1307. Pikërisht më 13 tetor, në një të premte, mbreti francez Filip IV urdhëroi arrestimin dhe ekzekutimin e Kalorësve Templarë, një ngjarje që, sipas disave, gdhendi këtë datë në ndërgjegjen kolektive si ogur i keq.

Nga ana tjetër, edhe tradita e krishterë ka ndikuar në përforcimin e simbolikës negative të numrit 13. Thuhet se në Darkën e Fundit ishin të pranishëm 13 veta, ndërsa Jezusi u kryqëzua të premten. Ky kombinim i datës dhe numrit u shndërrua në një simbol të fatkeqësisë, transmeton Telegrafi.

Çfarë nuk duhet bërë të premten e 13-të?

Pavarësisht nëse i besoni paragjykimeve apo i konsideroni si pjesë interesante të folklorit, ekziston një listë e gjatë veprimesh që "nuk rekomandohen" në këtë ditë. Disa nga më të njohurat përfshijnë:

Kalimi nën shkallë: Tradita e hershme krishtere e ndalon, pasi trekëndëshi që formohet përfaqëson Trininë e Shenjtë. Shkelja e tij konsiderohet si shenjë mosrespektimi.
Macja e zezë që të pret rrugën: Sipas paragjykimeve, nëse ajo kalon nga e majta në të djathtë, fati yt mund të ndryshojë drejtim. Sugjerohet të bësh tre hapa prapa.
Thyerja e pasqyrës: Thuhet se sjell shtatë vjet fat të keq.
Derdhja e kripës: Mund të shmanget fati i keq nëse kripa hidhet mbi shpatullën e majtë.
Hapja e çadrës brenda shtëpisë: Supozohet se sjell përplasje dhe mosmarrëveshje.

Gjithashtu, besohet se nuk duhet të ngrihesh mbi këmbën e majtë, të veshësh çorapen e majtë më parë, të përdorësh lugën e dikujt tjetër, apo të hapësh gojën pa mbuluar me dorë – të gjitha konsiderohen si shenja oguri i keq.

E vërtetë apo mit?

Frika nga e premtja e 13-ta mund të duket si një mbetje nga e kaluara, por edhe sot shumë njerëz shmangin të caktojnë operacione, udhëtime apo takime të rëndësishme në këtë ditë. Ka kompani që nuk lëshojnë bileta nën numrin 13, ndërsa disa ndërtesa nuk kanë kat të 13-të, ndoshta nga frika, ndoshta nga respekti për traditën.

Një ditë që kërkon kujdes të shtuar

Pavarësisht nëse mendoni se kjo është thjesht një ditë tjetër apo besoni se fati duhet marrë seriozisht, një gjë është e sigurt, shumë njerëz ecin me më kujdes të premten e 13-të. Disa kontrollojnë pasqyrën më shpesh, të tjerë i mbajnë gishtat e kryqëzuar.

Fundja, siç thonë të vjetrit, "nuk i dihet kurrë". Ndoshta fati i ditës varet nga ajo se me cilën çorape e filloni mëngjesin. /Telegrafi/