Sot bëhen 27 vjet nga rënia heroike e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se të hënën, më 22 shtator 2025, do të shënohet 27-vjetori i rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, dy prej figurave më emblematike të luftës për liri.
Në këtë ditë përkujtimore do të nderohen edhe dëshmorët Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha, Hamit Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, të cilët më 22 shtator të vitit 1998 ranë në betejë duke dhënë jetën për atdheun.
Ceremonia përkujtimore do të mbahet në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gllanasellë, ku nga ora 11:00 do të organizohen homazhe në shenjë respekti e mirënjohjeje për veprën e tyre.
Nga Komuna e Drenasit është theksuar se sakrifica e dëshmorëve është themel i lirisë së Kosovës dhe se kujtimi për ta do të mbetet i përjetshëm në historinë dhe ndërgjegjen e popullit. /Telegrafi/

















































