LAJMI I FUNDIT:

Skenaristi më i famshëm i listës së zezë të Holivudit

Skenaristi më i famshëm i listës së zezë të Holivudit
Dalton Trumbo

Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: ‘I went spectacularly broke’: The blacklisted Hollywood writer who won two Oscars)
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur BBC intervistoi skenaristin Dalton Trumbo, pranë pishinës së tij në Holivud në vitin 1960, ai sapo kishte shkruar skenarët për dy nga filmat më të mëdhenj të vitit. Pavarësisht këtij suksesi të shpejtë, intervistuesi Robert Robinson tek ai vërejti një “përmbajtje të caktuar”, duke supozuar se “nuk kishte dëshirë të ringjallte grindjet e vjetra”. Nuk është çudi nëse ndihej paksa i lënduar.

I burgosur, i futur në listën e zezë nga Holivudi dhe i detyruar për të punuar në fshehtësi nën një mori të emrave të rremë, 13 vjetët e fundit Trumbo i kaloi duke u goditur nga gjuetia amerikane antikomuniste e shtrigave. Gjithçka që kishte bërë ishte refuzimi i vitit 1947 që t’i tregonte një komiteti të qeverisë amerikane nëse ishte komunist, pasi mendonte se sipas Amendamentit të Parë e kishte të drejtën ligjore për të pasur cilëndo pikëpamje politike që ai dëshiron.


Sigurisht, Trumbo ishte anëtar i Partisë Komuniste, por puna nuk ishte këtu dhe, sidoqoftë, ai ishte larg stereotipit “I kuq”. Më vonë i tha BBC-së: “Kurrë nuk e ndjeva fajin më të vogël për të bërë atë që meritoja – filmat fitonin milionat. Nëse do të merrja një hise të vogël, mirë, kjo do të më pëlqente. Ideja e fajit – nuk jam puritan – do të më kishte befasuar”.

I lindur në vitin 1905, karriera e Trumbos si skenarist merr hov në vitet 1930 dhe në fund të dekadës ishte një nga skenaristët më të paguar të Holivudit. Në atë kohë, Hollivudi ishte i veçuar nga më i keqi i Depresionit i Madh, fal eskapizmit të tij popullore dhe fitimprurës në një botë të trazuar, por ndërgjegjja e fortë shoqërore po tronditej mes disave në industrinë e zbavitjes.

Më vonë, në vitin 1973 Trumbo i tha BBC-së: “Njerëzit iu bashkuan Partisë Komuniste sepse i bënte gjërat që ata mendonin se duheshin bërë. E kundërshtonte ngritjen e fashizmit në të gjithë Evropën. Ndihmonte ata që ishin refugjatë”.

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Aktivitetet Jo-Amerikane (HUAC), i cili më vonë u bë i famshëm për ashpërsinë ndaj të industrisë së filmit, u formua në vitin 1938 për të hetuar tendencat “subversive” – si ndërlidhjet komuniste.

Megjithatë, me ardhjen e Luftës së Dytë Botërore, u bë ndryshimi i lojalitetit ndaj aleatëve më të çuditshëm. Pushtimi i Adolf Hitlerit dhe Gjermanisë naziste në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1941, nënkuptonte se Rusia komuniste e Stalinit ishte befas aleate e ShBA-së.

Holivudi bëri të pamundurën në përpjekjet e luftës, me disa filma pro-sovjetikë si Misioni në Moskë [Mission to Moscow] i vitit 1943. Regjisori i tij, Michael Curtiz, e kishte fituar një vit më parë Oscarin për regjinë më të mirë për Kazablankën [Casablanca].

Por, kur lufta mbaroi, u shkatërrua aleanca e parehatshme e SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, duke sjell epokën e re të paranojës së Luftës së Ftohtë. Ky shqetësim për kërcënimin e perceptuar të komunizmit, ishte mjedis i përsosur për HUAC-në për të zgjeruar ndikimin e vet.

Në vitin 1947, Trumbo ishte një nga dhjetë skenaristët dhe regjisorët e Holivudit në tribunën e seancave dëgjimore mbi propagandën e supozuar komuniste në biznesin e filmit. Atyre vazhdimisht iu shtrua pyetja: “A je tash apo ke qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste”?

Në përgjigje, Trumbo tha: “Besoj se e kam të drejtë të ballafaqohem me çdo provë që mbështet këtë pyetje. Do të doja të shihja se çfarë keni”. Përgjigja e tij nuk shkoi mirë. Të gjithë në “Dhjetëshen e Holivudit” refuzuan dëshminë dhe u shpallën fajtorë për shpërfillje të Kongresit.

Siç Trumbo ia kujtoi Robert Robinsonit të BBC-së në vitin 1960, drejtuesit e studios u mblodhën një takim në hotelin Waldorf-Astoria të Nju-Jorkut ku njoftuan vendimin për dhjetë burrat në listën e zezë. Ai tha: “E bënë njoftimin se dhjetë personat që kishin refuzuar të zbulonin para komisionit përkatësinë e tyre politike, nuk do të punësoheshin më në industrinë e filmave të Holivudit – siç e quanin ata. Urrej ta quaj industri”.

Teksa HUAC ishte organ i profilit të lartë i hetimeve antikomuniste, të dyshuarit e tjerë të Holivudit u vunë në shënjestër në mënyrë më tinëzare nga një pamflet i quajtur Kanalet e të kuqve [Red Channels], i botuar në vitin 1950. Mes të implikuarve ishin aktorët Edward G Robinson dhe Orson Welles, shkrimtarët Arthur Miller dhe Dashiell Hammett, muzikantët Leonard Bernstein dhe Aaron Copland dhe interpretuesit Lena Horne dhe Burl Ives.

Me nëntitullin “raporti i ndikimit komunist në radio dhe televizion”, futja në listë mjaftoi për të dëmtuar apo edhe për të ta përfunduar karrierën. Pasojat për Trumbon ishin edhe më të rënda.

Në të njëjtin muaj që u publikua Kanali, Trumbo shkoi në burg për bindjet e veta ose, siç i tha BBC-së me ironi, “Më dhanë strehë dhe akomodim të shkëlqyeshëm në Institucionin Federal Korrektues në Ashlend të Kentakit – për një vit”.

Me lirimin e tij nga burgu, lista e zezë e zhbëri emrin dhe reputacionin e Trumbos. Në pamundësi për të gjetur punë në Kaliforni, me familjen e vet u transferua në Meksiko-Siti. Ai tha: “Kam qëndruar dy vjet atje. Nuk isha i lumtur. Gjithashtu, shkova me xhepat bosh. Dhe, u ktheva dhe që atëherë kemi jetuar këtu”.

Në pamundësi për të shkruar skenarë duke përdorur emrin e vet, duhej t’i drejtohej tregut të zi për të mposhtur listën e zezë. “Kisha metoda për anashkalim, në mënyrë që të mos isha kurrë plotësisht i papunë”, pranoi ai për BBC-në.

“Megjithatë, personat që ishin në gjendje të rrezikonin për shërbimet e mia, pra të rrezikonin që marrëdhënia ime me filmin të mos zbulohej për të mos e dëmtuar filmin, bënin filma më pak të shtrenjtë dhe kështu fitova shumë më pak para”.

U detyrua të shkruante me një sërë pseudonimesh ose duke përdorur skenaristët e tjerë për punën e vet. Teksa disa skenarë ishin për filmat B që nuk e kishin prestigjin e punës së tij para listës së zezë, ato përfshinin gjithashtu filmat klasikë si Pushimet romane [Roman Holiday] të vitit 1953, me aktorët Audrey Hepburn dhe Gregory Peck. /Telegrafi/