Mësohet se ajo quhet Alma Martini dhe është nga Lezha, 40 vjeçe.

Një qytetar ka filmuar konfliktin ndërmjet tyre, në Tiranë, konflikt që kthehet në përplasje fizike. Pas kësaj videoje, ka reaguar menjëherë Policia e Shtetit, duke i pezulluar dy punonjësit e saj, si dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka falënderuar “News 24″.


Ngjarja ka ndodhur pasi gruaja ka marrë një gjobë për kundërvajtje me mjetin e saj “Renault”, të cilën gjobë ajo e ka refuzuar. Duke hedhur fletën e gjobës, nga pakujdesia, Martini ka hedhur në tokë edhe patentën. Policët ia kanë marrë patentën dhe kërkesës së qytetares për t’ia kthyer, i janë përgjigjur me fjalë fyese. Kjo e ka acaruar më shumë situatën: ajo i ka pështyrë punonjësit e Policisë, ndërsa njëri prej tyre e ka qëlluar me shuplakë.

“News 24” mësoi se pas incidentit, Martini është shoqëruar nga Policia.

Burime nga Policia Rrugore thanë për “News 24” se dy efektivët nuk ia kishin marrë patentën qytetares, por asaj i kishte rënë në tokë. Sipas tyre, Martini i kishte sharë, fyer dhe goditur efektivët edhe para momenteve të filmuara në video. /News24/