Ngjarja e arteve marciale të përziera MAXFIGHT 62, e mbajtur të shtunën e kaluar në Sveti Vlas, Bullgari, përfundoi me një skandal të rrallë në botën e sporteve luftarake.

Gjatë ndeshjes kryesore të mbrëmjes mes luftëtarëve vendas Mitko Iliev dhe Georgi Valentinov, ndodhi një incident tronditës: Valentinov kafshoi në vesh kundërshtarin e tij, duke i shkaktuar dëme fizike të dukshme.


Gjithçka ndodhi në raundin e dytë, brenda litarëve të ringut. Edhe pse Iliev e sinjalizoi menjëherë gjyqtarin për dhimbjen dhe dëmtimin, ndeshja nuk u ndal menjëherë.

Vetëm pasi në dyshemenë e ringut u gjet një copë e veshit të kafshuar, u vendos që dueli të ndërpritej.

Një video e incidentit është duke qarkulluar në rrjetet sociale, e shoqëruar me paralajmërime për përmbajtje jashtëzakonisht shqetësuese dhe të dhunshme.

Valentinov përjashtohet përjetësisht

Pas incidentit, Georgi Valentinov u skualifikua menjëherë dhe u përjashtua përfundimisht nga organizata MAXFIGHT. Presidenti i promocionit, Ljuben Dzhubrilov, reagoi me ashpërsi: “Georgi Valentinov kreu një akt të qëllimshëm, brutal dhe të papranueshëm, duke kafshuar një pjesë të veshit të kundërshtarit të tij".

Ky nuk ishte një moment i humbjes së kontrollit apo nxitje sportive – ishte një sjellje e shëmtuar që nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë,” – deklaroi Dzhubrilov, duke shtuar se Valentinov nuk ka të drejtë ankese apo ndonjë shans të dytë.

Ky incident tronditës rikujtoi menjëherë për tifozët një nga momentet më të famshme dhe të turpshme në historinë e sporteve luftarake – duelin e vitit 1997 mes Mike Tyson dhe Evander Holyfield, ku Tyson i kafshoi veshin kundërshtarit të tij dhe u përjashtua nga ringu. /Telegrafi/

telegrafi sport app