LAJMI I FUNDIT:

S’kam besuar se do ta kërkoj riarmatimin, por gjithçka ndryshon me presidencën kanosëse të Trumpit

S’kam besuar se do ta kërkoj riarmatimin, por gjithçka ndryshon me presidencën kanosëse të Trumpit

Nga: George Monbiot / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Menjëherë pasi laburistët formojnë qeverinë, veten do ta gjejnë në një botë të re. Tashmë duket e mundshme që Donald Trumpi do ta fitojë presidencën e Shteteve të Bashkuara. Nëse këtë e arrin, kjo duhet t’ia japë fundin fantazive tona për një marrëdhënie të veçantë të qëndrueshme.

Gjithmonë ishte iluzion. Pasi ndërhyrja befasuese heroike e ShBA-së në Luftën e Dytë Botërore na mbrojti nga pushtimi dhe nga fashizmi, e ndërtuam një përrallë romantike të dashurisë së qëndrueshme. Por, të dy vendet veprojnë sipas interesave të veta. Teksa Britania e Madhe dhe Evropa janë mbështetur te ShBA-ja për sigurinë, fuqia dominuese prej kohësh na ka përdorur si instrument të politikave.


Ndërmarrja jonë e përbashkët shpeshherë ka qenë shkatërrimtare për njerëzit e tjerë. Nëse japim disa shembuj, merreni parasysh grushtin e shtetit ShBA-Mbretëri e Bashkuar që përmbysi Mohammad Mosaddeghun në Iran në vitin 1953, luftën 20-vjeçare në Afganistan, luftën e Irakut të vitit 2003 ose mbështetjen e vendosur nga Joe Bideni dhe Rishi Sunaku për zhvillimin e gjenocidit në Gazë.

Pandemia e gënjeshtrës
Lexo po ashtu Pandemia e gënjeshtrës

Vendet tona kanë bashkëpunuar gjithashtu në zhvillimin e një regjimi global tregtar dhe ligjor që favorizon kapitalin mbi shtetin demokratik. Shembull është sistemi i njohur si zgjidhja e mosmarrëveshjeve investitor-shtet, që gjykatave në vendet tjera ua jep përparësinë mbi sovranitetin kombëtar.

Nëse Trumpi futet sërish në Shtëpinë e Bardhë, qeveria amerikane, gjithmonë mike e dyshimtë, ka të ngjarë të bëhet kërcënim i qartë për paqen, për sigurinë dhe për mirëqenien tonë. Ajo do të shkatërrojë atë që ka mbetur nga siguria dhe frenimi global armiqësive, nga marrëveshjet mjedisore, të drejtat e njeriut dhe ligji ndërkombëtar. Epoka e multilateralizmit, me të meta siç ka qenë gjithmonë, do të mbarojë dhe diçka shumë më e keqe do ta zë vendin e tij. Shkurtimisht, Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa do të duhet t’i gjejnë mjetet për ta mbrojtur veten kundër regjimit të Trumpit dhe aleatëve të tij. Gjithashtu, mund të na duhet – pasi nuk janë marrë mësimet nga shekulli i kaluar dhe meqë e djathta ekstreme po ngrihet përsëri – të mbrohemi kundër njëri-tjetrit.

Trumpi ka zhvilluar marrëdhënie të veçantë; jo me ne, por me Vladimir Putinin të cilit i referohet si diktatori i hekurt që do të donte të ishte. Rusia u përpoq të ndihmonte Trumpin të fitonte më 2016, u përpoq përsëri më 2020 dhe e ka mbështetur prej kohësh Trumpin për zgjedhjet e vitit 2024.

Në këmbim, kur Trumpi ishte president njoftoi se i besonte Putinit më shumë se agjencive të inteligjencës amerikane. Më pas e lavdëroi Putinin për pushtimin në Ukrainë dhe ka deklaruar se do ta inkurajonte Rusinë të sulmonte çdo anëtar të NATO-s që nuk shpenzon më shumë për mbrojtjen.

Njëri rezultat i kësaj marrëdhënieje të veçantë është se Trumpi, nëse zgjidhet, ka të ngjarë t’ia japë fundin mbështetjes ushtarake të ShBA-së për Ukrainën. Kjo do të thotë se nëse kombet evropiane nuk bëjnë një hap para, Putini do të jetë në gjendje të përfundojë pushtimin e vet. Duket e pamundur se ai do të ndalet me kaq. Një memo e Kremlinit e vitit të kaluar njoftoi se Rusia do të merrte “masat e nevojshme simetrike dhe asimetrike për të shtypur” “aktet jomiqësore” si përdorimi i sanksioneve. Në shkurt, ministri danez i Mbrojtjes paralajmëroi se Rusia brenda pesë vjetëve mund të fillojë sulmin ndaj një vendi të NATO-s. Polonia, shtetet baltike …? Me mbështetje në Shtëpinë e Bardhë dhe me kolapsin e mundshëm të NATO-s, pse të mos përfitojë Putini nga kjo përparësi?

Emmanuel Macroni – aleati më i fortë i Ukrainës në Evropën Perëndimore – tashmë është fshikulluar, ndërsa miqtë e Putinit në Hungari, Serbi, Bullgari dhe Sllovaki ndiejnë se historia është në anën e tyre. Kur ndryshojnë rrethanat, duhet të ndryshojnë edhe pozicionet tona, sado shqetësuese që mund të jenë. Prej kohësh kam bërë thirrje për çarmatim. Kjo kishte kuptim kur Ministria e Mbrojtjes në vitin 2003 arriti në përfundimin se “aktualisht nuk ka kërcënime të mëdha ushtarake konvencionale për Mbretërinë e Bashkuar ose për NATO-n … tani është e qartë se më nevojë nuk kemi t’i mbajmë kapacitetet tona kundër rishfaqjes së një strategjie të kërcënimit të drejtpërdrejtë konvencional” dhe kur disa vite më vonë NATO vendosi se “është goxha i pamundshëm agresioni konvencional i shkallës së gjerë kundër aleancës”.

Duhet të përballemi me propagandën ruse – edhe kur kjo vjen nga ata që ne i respektojmë
Lexo po ashtu Duhet të përballemi me propagandën ruse – edhe kur kjo vjen nga ata që ne i respektojmë

Por, situata ka ndryshuar. Me brengë të madhe po hapem ndaj argumenteve për riarmatim. Besoj se tani duhet t’i përmirësojmë aftësitë tona konvencionale për të mbështetur kombet e tjera evropiane kundër Rusisë dhe – diçka që dukej e paimagjinueshme disa vjet më parë – ndoshta për ta mbrojtur veten.

Sipas një ish-zyrtari të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, forcat e Mbretërisë së Bashkuar aktualisht nuk do të jenë në gjendje të “luftojnë dhe të fitojnë në një konflikt të armatosur të çdo shkalle”. Shpejt do të na mbaronte municioni, nuk do të mund të parandalojmë sulmet me raketa dhe nuk do të mund të ndalojmë sulmin në territorin tonë.

Në anën tjetër, ky gjithashtu është momenti i mirë për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që të rimendojë pozicionin e vet për armët bërthamore. Është koha të pranojmë se “parandalimi ynë i pavarur bërthamor” nuk ka qenë kurrë i pavarur. Për shkak se komponentët kryesorë furnizohen dhe kontrollohen nga ShBA-ja, ne nuk mund ta përdorim atë pa pëlqimin e ShBA-së. Pra, nëse Trumpi rifiton Shtëpinë e Bardhë, nuk do të ishte më parandalues: Putini e di se ne nuk mund ta përdorim. Programi bërthamor i Mbretërisë së Bashkuar është grumbull tullash prej 172 miliardë paundëve [205 miliardë euro]. Pse të harxhohen më shumë para në të?

Gjatë gjithë jetës tonë jemi përballur me zgjedhje të konsistencës. Ose vlerat ose pozicionet tona mund të mbeten të pandryshuara, por jo të dy ato. Mbrojtja e vazhdueshme e vlerave tona – si, kundërshtimi ndaj imperializmit, fashizmit dhe luftërave të agresionit – kërkon që ne të jemi gati të ndryshojmë vlerësimet tona teksa natyra e këtyre kërcënimeve po ndryshon.

Politika e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar do të kërkojë kthesa të tjera të mprehta. Për Izraelin dhe Palestinën, qeveria laburiste duhet të mbrojë paqen, drejtësinë dhe ligjin ndërkombëtar. Pas dështimit fillestar moral të Keir Starmerit, pozicioni i laburistëve ka filluar të ndryshojë: David Lammy, sekretari i Jashtëm në hije, ka thënë se nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshon urdhërarrest për Benjamin Netanyahun, ai do të jetë i gatshëm për ta zbatuar. Tani ai duhet të kërkojë gjithashtu embargo të plotë të armëve britanike për Izraelin.

Teksa Trumpi shkatërron angazhimet mjedisore të ShBA-së, vendeve e tjera duhet të dyfishojnë angazhimet e veta për të shmangur katastrofën planetare. Nuk do të na shkaktoj asnjë dëm ekonomik përqafimi i teknologjive të shekullit XXI, ndërkohë që ShBA-ja mbetet në epokën fosile. E gjithë kjo bëhet sidomos urgjente në Mbretërinë e Bashkuar, nëse puthadori grotesk i Trumpit dhe Putinit, Nigel Farage, fiton terren në politikë. Bashkëpunëtorët tashmë janë rreshtuar për të tradhtuar vendin e vet.

Pavarësia nga ShBA-ja është e vështirë, e rrezikshme dhe nuk ka siguri për sukses. Por, të mbetesh shërbëtor besnik i ShBA-së nëse Trumpi bëhet komandant i përgjithshëm, kjo është një formulë për katastrofën. Nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndaluar zgjedhjen e tij, përveçse t’u lutemi votuesve amerikanë që të mos lejojnë që një kriminel i dënuar, një puçist, sulmues seksual, gënjeshtar, mashtrues dhe pretendent për diktator të futet në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”

Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”

Evropa
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi

Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi

Botë
Diana Tahiri rrëfen linjën e jetës - nga aksidenti me makinë që iu desh të kryente 16 operacione e deri te ëndrra që ka

Diana Tahiri rrëfen linjën e jetës - nga aksidenti me makinë që iu desh të kryente 16 operacione e deri te ëndrra që ka

Magazina
Motra e befason Dianën në spektakël - i kërkon të dalë nga Big Brother për shkak të gjendjes shëndetësore të babait

Motra e befason Dianën në spektakël - i kërkon të dalë nga Big Brother për shkak të gjendjes shëndetësore të babait

Magazina
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej

Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej

Lajme
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Politikë
Kalo në kategori