LAJMI I FUNDIT:
Mitrovica 10° cloudy

Sjelljet e devijuara të nxënësve në Mitrovicë – tregues i një krize edukative, cilësohet e domosdoshme mbështetja psikologjike

Sjelljet e devijuara të nxënësve në Mitrovicë – tregues i një krize edukative, cilësohet e domosdoshme mbështetja psikologjike
Fotografi ilustruese

Sjelljet e devijuara të nxënësve nuk janë të rralla, të tilla kanë ndodhur edhe në shkollat e Mitrovicës gjatë periudhës së fundit kohore. Këto sjellje përkojnë me therrje me thikë e rrahje mes nxënësve.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se së bashku me organizatat jo-qeveritare kanë organizuar takime e punëtori kundër bullizmit dhe sjelljeve negative.

Kadriu ka thënë se edhe me Policinë kanë mbajtur ligjerata me tema të ndryshme, si lëndët narkotike, bullizmin, sjelljen në trafik e të tjerë. Ajo ka bërë të ditur se edhe mësimdhënësit mbajnë takime dhe konsultime me prindër e nxënës me sjellje të devijuara, shkruan Telegrafi.


Drejtoresha e kësaj drejtorie ka treguar se qëllimi i këtyre aktiviteteve është mbështetja e shkollave si në komunikim me palët e përfshira, ashtu edhe në zbatimin e masave ligjore.

Kadriu ka përmendur se si duhet të veprojnë shkollat kur gjenden në këto situata.

“Komunikimi i vazhdueshëm me prindër dhe nxënësit me sjellje devijante, ballafaqimi i palëve të përfshira në ndonjë problem, mbështetja nga institucionet relevante si Qendra për Punë Sociale, Policia (në rastet më të rënda) e të tjerë”, ka përfunduar drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu.

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu

Këtë çështje, e kishte ngritur si problem edhe vetë drejtoresha Kadriu përmes një statusi rreth dy javë më parë.

“Sjelljet e devijuara të nxënësve, tregues i një krize sociale dhe edukative”

Sociologu, Ramadan Beshiri ka thënë se sjelljet e devijuara të nxënësve janë tregues i një krize sociale dhe edukative, e cila sipas tij, manifestohet si pasojë e dobësimit të funksioneve bazë të familjes, shkollës dhe shoqërisë.

“Në aspektin socilogjik, devijimi nuk është vetëm sjellje individuale, por një produkt i drejtpërdrejt i rrethanave sociale, ekonomike dhe kulturore që e rrethojnë individin gjatë jetës”, ka thënë Beshiri për Telegrafin.

Beshiri ka thënë tutje se nëse një shoqëri nuk investon në edukimin dhe formimin e brezave të rinj, ata do të formohen në mënyrë të rrejshme nga modelet sipërfaqësore të paraqitura në media dhe rrjetet sociale.

Sociologu ka shtuar se faktorët që shtyen në krijimin e sjelljeve të devijuara të nxënësve janë të shumëfishtë dhe ndërthuren në nivele të ndryshme të jetës së fëmijëve dhe të rinjve, transmeton Telegrafi.

Ai ka shtuar se një ndër faktorët është dhe familja, e cila kur ka angazhime të stërzgjatura në punë “kanë lënë në duart” e teknologjisë, televizionit, filmave dhe pajisjeve dixhitale edukimin e fëmijëve të tyre.

“Ky lloj edukimi, në mungesë të komunikimit dhe mbështetjes prindërore, sjell pasoja të rënda për zhvillimin e fëmijës. Fëmijët ekspozohen ndaj përmbajtjeve jo të përshtatshme, zhvillojnë varësi ndaj teknologjisë dhe largohen nga aktivitetet e shëndetshme. Prindërit duhet të vendosin si prioritet krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për zhvillimin e fëmijëve të tyre”, ka theksuar sociologu.

Një ndër faktorët është edhe shkolla, e cila sipas tij, në vend që të shërbejë si vend formimi dhe edukimi, shpeshherë reduktohet në një sistem ku vlerësohet më shumë nota se sa edukimi moral dhe shpirti kritik.

E faktorët e fundit janë shoqëria dhe mediat, që sipas tij, stimulojnë dhe imponojnë modele të rrejshme suksesi, shpesh të ndërlidhura me pasurinë, dhunën dhe famën e shpejtë.

Sociologu ka treguar se familja duhet të rikthehet në rolin themelor të saj si edukatore e parë e familjes.

Sociologu, Ramadan Beshiri

“Prindërit duhet të ndajnë kohë cilësore me fëmijët, duke krijuar hapësira për biseda të hapura, duke dëgjuar nevojat dhe shqetësimet e tyre dhe duke ndërtuar një raport besimi të ndërsjellë. Ata duhet të bëhen detektor të shenjave devijante tek fëmijët e tyre, kontrollimi sistematik dhe përkujdesi duhet të jenë në maksimum. Teknologjia nuk mund të zëvendësojë kontaktin njerëzor dhe afërsinë prindër – fëmijë”, ka theksuar ai.

Beshiri ka potencuar se institucionet janë themelore në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe zhvillues për të rinjtë. Sipas tij, institucionet publike dhe shërbimet sociale duhet të ndërhyjnë në kohë me politika mbështetëse për familjet në nevojë, duke parandaluar kështu varfërinë dhe margjinalizimin.

“Edukimi – themeli mbi të cilin ndërtohet shoqëria e së ardhmes”

Më tej, sociologu ka vijuar se edukimi është themeli mbi të cilin ndërtohet shoqëria e së ardhmes.

“Nëse nuk edukojmë sot brezat e rinj, nesër do të kemi një shoqëri të dhunshme dhe të paqëndrueshme. Edukimi u jep mundësinë të të rinjve për të kuptuar dallimin mes të mirës dhe të keqës, për të pasur mendim kritik dhe për të ndërtuar një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme”, ka deklaruar Beshiri.

Sjelljet e devijuara në shumicën e rasteve vijnë nga fëmijët e mitur, nga nxënësit e shkollave fillore, kjo sipas sociologut, sepse socializimi dytësor që ndodh në fazën e hershme të fëmijërisë dhe pubertetit, është periudha më delikate për formimin e identitetit dhe sjelljes së individit.

“Për të qenë të pranuar dhe të vlerësuar në rrethin e tyre, ata shpesh ndërmarrin sjellje që bien ndesh me normat shoqërore nga konsumimi i substancave të dëmshme si cigarja, deri te aktet e dhunshme ose krimet e vogla”, ka deklaruar tutje ai.

Beshiri ka vlerësuar se kemi nevojë të krijojmë gjenerata që janë shtyllë e familjes dhe shoqërisë, e jo barrë për to.

“Të rinjtë duhet ta mësojnë dhe ta jetojnë rolin e tyre si ndërtues të së ardhmes”, ka përfunduar sociologu, Ramadan Beshiri.

Ndërsa, psikologia Burbuqe Mikullovci ka thënë se me fëmijët dhe nxënësit në përgjithësi duhet të kemi komunikim të hapur dhe pa paragjykime, e në veçanti me nxënësit që kanë sjellje devijante.

Ajo ka thënë se duhet të krijojmë empati dhe mirëkuptim për të kuptuar arsyet që qëndrojnë pas sjelljes së devijuar.

“Duhet të kemi kujdes dhe durim të shtuar për mënyrën se si iu qasemi nxënësve me sjellje të devijuara”

“Gjithashtu ne duhet pasur kujdes dhe durim të shtuar në mënyrën se si iu qasemi atyre gjithmonë, duke i gërshetuar kështu me vendosjen e kufijëve konstruktiv, për shembull t`iu bëjmë me dije pasojat e veprimeve te tyre’, ka thënë psikologia për Telegrafin.

Mikullovci ka treguar se jo të gjithë fëmijët me sjellje devijante kërkojnë masa të njëjta për t`i përmirësuar ato, sipas saj, fillimisht duhet përshtatur metodologjinë bazuar në personalitetin dhe problemin e fëmiut.

Psikologia ka shtuar se duhet patjetër të kemi orë shtesë ndërgjegjësuese nëpër shkollat tona, duke ofruar kështu informacione të sakta dhe edukim të mirefilltë rreth ndikimit të sjelljeve të devijuara në individë dhe komunitet.

Psikologia, Burbuqe Mikullovci

Sipas saj, një tjetër formë e ndërgjegjësimit është edhe promovimi i vlerave pozitive, duke iu ofruar kështu nxënësve shembuj pozitiv.

Ajo ka theksuar se për rastet më serioze, zbatimi i ligjit mund të jetë i nevojshëm për të mbajtur rregullin dhe sigurinë.

Psikologia ka theksuar se mbështetja psikologjike është e domosdoshme për secilin fëmijë që ka probleme me sjellje devijante apo të tjera.

“Konsultimet me psikologë ose terapistë ndihmojnë në identifikimin e shkaqeve dhe trajtimin e problemeve themelore”

Mikullovci ka potencuar se konsultimet me psikologë ose terapistë ndihmojnë në identifikimin e shkaqeve dhe trajtimin e problemeve themelore, raporton Telegrafi.

“Në përgjithësi, numri i të miturve që marrin trajtim psikologjik mund të jetë më i madh sesa që është tani, por jo të gjithë kërkojnë ndihmë për shkak të stigmës ose mungesës së qasjes në shërbime. Dita – ditës, edhe prindërit janë më të vetëdijësuar që problemet e tilla nuk mund t`i trajtojnë në mënyrë më profesionale se sa me një psikolog, andaj bëj thirrje që prindërit të jenë sa më vigjilent dhe në fillimet e ndryshimit të sjelljeve (sjelljeve devijante) të fëmijëve të tyre, t`i adresojnë menjëherë tek ndonjë psikolog apo terapist”, ka potencuar tutje ajo.

Psikologia ka vijuar se shumë faktorë mund të ndikojnë që nxënësit të kenë sjellje të devijuara, sipas saj, është kombinimi i faktorëve personal, familjarë, shoqërorë e mjedisorë.

“Mungesa e mbështetjes familjare ndikon shumë. Në familjet ku ka konflikt, dhunë, ose mungesë komunikimi, nxënësit mund të kërkojnë vëmendje. Janë edhe problemet emocionale dhe psikologjike që nxënësi përballet si: stresi, ankthi, depresioni dhe ndjenjat e izolimit, të cilat mund të dërgojnë tek sjelljet devijuese”, ka deklaruar Mikullovci.

Sipas psikologes, ndikimi i grupit shoqëror, kushtet ekonomike të dobëta, përdorimi jo i drejtë i teknologjisë dhe mediave sociale, përmbajtjet jo të përshtatshme, janë faktorët që rezultojnë të kenë ndikim negativ në sjelljen e nxënësve.

“Në mjedisin shkollor, edhe mësimdhënësit sigurisht që duhet të jenë të angazhuar maksimalisht me një sistem të mirë arsimor, për të mbajtur të motivuar nxënësit duke mos shkaktuar kështu humbjen e interesimit dhe motivimit tek ata”, ka përfunduar psikologia, Burbuqe Mikullovci. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Barcelona mban gjallë ëndrrën për tripletë, mposht Real Madridin në finale të Kupës së Mbretit

Barcelona mban gjallë ëndrrën për tripletë, mposht Real Madridin në finale të Kupës së Mbretit

Ndërkombëtare
Si arriti Dogana e Kosovës ta kapë një orë dore në vlerë 400 mijë euro në Aeroportin e Prishtinës?

Si arriti Dogana e Kosovës ta kapë një orë dore në vlerë 400 mijë euro në Aeroportin e Prishtinës?

Lajme
Mbani larg buburrecat duke vendosur këtë produkt shtëpiak nëpër qoshe

Mbani larg buburrecat duke vendosur këtë produkt shtëpiak nëpër qoshe

A e dini se...
Cili është trendi i importit të veturave nga Koreja e Jugut në Kosovë?

Cili është trendi i importit të veturave nga Koreja e Jugut në Kosovë?

Ekonomi
Kosova në prag të humbjes së një mundësie historike financiare për shkak të vonesave në konstituimin e Kuvendit

Kosova në prag të humbjes së një mundësie historike financiare për shkak të vonesave në konstituimin e Kuvendit

Lajme
Gola, luftë dhe penallti e anuluar, ‘El Clasico' shkon në vazhdime

Gola, luftë dhe penallti e anuluar, ‘El Clasico' shkon në vazhdime

Ndërkombëtare
Kalo në kategori