Sivasspor - Prishtina, gati spektakli

Është gjithçka gati për spektaklin e sotëm, për ndeshjen miqësore ndërkombëtare ndërmjet Sivassporit dhe FC Prishtinës. Të dyja skuadrat i kanë bërë të enjten përgatitjet e fundit, duke i zhvilluar seancat stërvitore të fundit para kësaj ndeshjeje me peshë, pasi luhet për “Kupën e Republikës”, një turne tradicional, i cili mbahet qe më shumë se një dekadë.
E klubi turk e ka zgjedhur pikërisht klubin më të madh kosovar për ta nderuar në hapje të stadiumit të ri. Ekspedita prishtinase ka zbarkuar të mërkurën mbrëma në Sivas, ku turqit i kishin rezervuar pritje madhështore. Bardhekaltrit janë akomoduar në “Buyuk Hotel”, ku kanë hasur në një pritje tepër të ngrohtë.
Futbollistët kosovarë duken të motivuar për këtë ndeshje, ku do të mundohen ta shfaqin potencialin e tyre.
“Po kalojmë shumë mirë, është një qytet i mirë, me një kulture islame. Është një atmosferë e ngrohtë dhe dua ta falënderoj përzemërsisht klubin e Sivassporit për këtë mikpritje fenomenale”, deklaroi për “Zërin” mesfushori, Gentrit Begolli.
I kënaqur me mikpritjen është edhe qendërmbrojtësi, Liridon Kukaj. “Po kalojmë shumë mirë, është një mikpritje e ngrohtë e vendësve. Është një qytet i vjetër dhe përshtypjet e para janë të mira”, theksoi ai.
E mirëpresin miqësoren me Sivasporin
Të dy futbollistët e mirëpresin miqësoren me Sivassporin, pasi thonë se është një mundësi e mirë për t’i treguar vlerat. “Sigurisht, ky është një rast i mirë për ne. Sidomos për djelmoshat e rinj, që ta tregojnë veten dhe ta shohin se sa larg apo afër futbollit evropian janë. Pres një lojë të mirë, me një angazhim dhe kujdes të madh, besoj se do të dalim mirë. Çdo ndeshje ndërkombëtare është e mirëseardhur për ne”, vijoi Kukaj. Ndeshja ndërmjet Sivassporit dhe FC Prishtinës zhvillohet të premten, duke filluar nga ora 18:30, me orën lokale turke, respektivisht në 17:30 me orën e Kosovës.
FC Prishtina të mërkurën mbrëma ka zbarkuar në Sivas, ku është akomoduar në “Buyuk Hotel”. Bardhekaltrit kanë hasur në një pritje madhështore që ua ka bërë Sivasspori, me të cilin do ta zhvillojnë sot miqësoren spektakolare. /Zëri



















































