LAJMI I FUNDIT:

Sipas Dodik, Lista Serbe ka bërë mirë që është larguar nga Qeveria e Kosovës

Sipas Dodik, Lista Serbe ka bërë mirë që është larguar nga Qeveria e Kosovës

Vendimi i Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, përkatësisht nga Qeveria e Kosovës është veprim i mirë, ka vlerësuar presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik.

Gjithashtu, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Dodik ka thënë se skenat e fundit në Kosovë janë rezultat i një çështje tjetër të pazgjidhur që ka mbetur një prej “temave të vjetruara” të bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan.

Kosova, vlerëson ai, së bashku me Bosnjë dhe Hercegovinën janë dëshmi e përpjekjeve të dështuara nga Perëndimi.


“Fakti që pesë vendet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, fakti është se BE-ja është duke punuar në parimin e konsensusit dhe çështja është se si BE-ja mund të zbatojë politikën në Kosovë, në qoftë se pesë shtete nuk e kanë njohur”, ka thënë Dodik.

Sistemi i standardeve të dyfishta të aplikuara nga Perëndimi, pretendon Dodik, duhet të ndërpritet dhe Serbia është në pozitë kur këtë standard mund ta ndalojë.

Gjithsesi, fakt sipas tij është se “historia për Kosovën nuk është përfunduar, por gjithashtu se Serbia ka arritur të sjellë çështjen në axhendë”. /Telegrafi/