Site icon Telegrafi

Si u injektua terrorizmi dhe u bë vijë politike e komunistëve në Shqipëri?

Nga: Elmas Leci

Nga tregimet më të sinqerta të jetës së tij, Enver Hoxha ka deklarimet në “Katër ditët e Beratit”, ku ai rrëfen fije e për pe vijën terroriste të ndjekur nga ai vetë dhe nga bashkëpunëtorët e tij në veprimtaritë e luftës e të partisë. Madje, ai thotë apo denoncon se çfarë ishte terrorizmi, si ishte zhvilluar ai gjatë viteve të luftës dhe kush e futi atë frymë që vijoi edhe pas çlirimit!

Ja si zbërthehet ai në plenumin e Beratit: “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe te Aliu (Aliu pseudonimi i jugosllavit Miladin Popoviq, krijues i Partisë Komuniste të Shqipërisë)”. “Në këtë pikë”, vijon Enveri, “unë isha pasqyra e Aliut. Kur vinte ndonjë informacion nga Fronti, ku thuhej se ky apo ai po vepronte keq, ne vendosnim ta vrisnim … Vjen raporti nga Gogoja për Sotir Kondin dhe ne i themi atij që ta vriste. Vjen një raport për Anastas Plasarin e për Zef Malën, ne japim udhëzime – të vriten! Vjen raporti nga Shulja, i cili kërkon të vejë e të piqet me Gani Kryeziun gjoja për punën e Fundos, ne marrim masa ekstreme. Sa për çështjen e Mustafa Gjinishit, unë kam qenë ai që kam vendosur për këtë çështje” (për ta vrarë).

Vendimi për ekzekutimin e tij ishte i hershëm, madje që nga Konferenca e Mukjes. Disa ditë pas Mukjes e dërgojnë në Peshkopi në inaugurimin e Brigadës së 18-të Sulmuese për ta përshëndetur atë formacion luftarak si anëtari i Shtabit të Përgjithshëm. Teksa po kthehej nga Peshkopia, në rrugë i kishin bërë një pritë nga ku e qëllojnë dhe e vrasin. Pikërisht për këtë vrasje, Enver Hoxhën e pyesin në Plenumin e Beratit dhe ai atje jep përgjigjen se “vrasja e Mustafa Gjinishit duhej bërë”!

Dhe, thënia e sipërcituar e Enver Hoxhës lidhej me Mukjen, ku menjëherë pas saj dy jugosllavët, Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi, e urdhërojnë Enver Hoxhën “për të analizuar qëndrimin e Mustafa Gjinishit dhe të Ymer Dishnicës në Mukje”. Enver Hoxha mbledh drejtuesit kryesorë të ushtrisë dhe të partisë, ku konkluzioni i tij ishte se “ata (Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica) duhen pushkatuar”!

Nuk shkoi shumë dhe Mustafa Gjinishi, sipas atij vendimi, u ekzekutua në pritë me dorën e Liri Gegës. Këto i ka deklaruar vetë Liri Gega para pushkatimit, ndërsa vendimi i marrë për Ymer Dishnicën mbeti i pazbatuar, ndofta sepse e shoqja e Doktorit, Flora, ishte shifrante e Shtabit të Përgjithshëm dhe për disa kohë edhe sekretare personale e Enver Hoxhës. Gjithsesi, Doktori i shpëtoi vendimit të Vidhkuqit për ekzekutim, por jo arrestimit dhe burgimit të mëvonshëm pas çlirimit.

Dritë konkrete hedh mbi vendimin për ekzekutimin e dy përfaqësuesve të Nacionalçlirimtares në Mukje edhe Xhelal Staravecka, ish-komandant batalioni në Brigadën e parë Sulmuese, pjesëmarrës në atë takim në Vidhkuq, i cili shkruan se “para se të fillonte mbledhja, pashë të tërhiqen veçan Miladini, Dushani dhe Enveri … Më pas ata vijnë, zënë vendet dhe nisi mbledhja, të cilën e hapi Dushan Mugosha, i cili nuk nguroi që me cinizmin që e karakterizonte të sulmonte figurat nacionaliste shqiptare dhe vendimet e fundit të Konferencës së Mukjes. Mustafa Gjinishi, ju e dini se është agjent anglez – iu drejtua Dushani të pranishmëve. Propozoj që për Mukjen ta dënojmë me vdekje. Për Ymer Dishnicën?! Edhe ai është element shumë i rrezikshëm për ne dhe për partinë, ndaj edhe këtë duhet ta dënojmë po me vdekje”. Menjëherë më pas foli Enveri, ku u shpreh se për ‘vendimin që e dhanë shokët Dushan e Miladin për Mustafanë, duhet ta realizojmë … ata duhen pushkatuar! E theksoj se duhen pushkatuar’”!

Më tej, tablonë terroriste e plotëson Liri Gega, e cila në “Katër ditët e Beratit”, këtë tezë – tezën e vrasjeve dhe se si janë bërë ato – ajo nxjerr qartë se “Partinë tonë e ka udhëhequr Aliu (Miladin Popoviqi) kurse dora e djathtë (e vrasjeve) ka qenë Enveri”.

Siç rezulton nga shumë e shumë dokumentacione, Enver Hoxha është mishërimi më i madh i aplikimit të vrasjeve e të vijës terroriste, e cila nën dirigjimin e jugosllavëve mori përmasa aq sa të gjithë “kundërshtarët” apo ata që kishin ndonjë mendim të ndryshëm, shpalleshin tradhtarë dhe ndiqeshin direkt me urdhrin e tij për tu asgjësuar. Ka në Arkivin Qendror të Shtetit dokumente të tëra, që flasin direkt për Enver Hoxhën se si ai i ndiqte apo i ekzekutonte kundërshtarët.

Kur doli në zonat e Korçës në dimrin 1943-’44, Enver Hoxha i shkruan Nako Spirut në Pezë se “shokët që vinë nga Italia e gjetkë nga vende të huaja, të na raportohen emrat e tyre dhe çdo informatë që mund të keni mbi ta … Kujdes me Kristo Frashërin, Nasi Marianin, Shuretin, Ilo Pandukun, Peçen, Isuf Keçin, Agron Çoratin e vëllain e tij, kujdes në lidhjet e tyre të vjetra, … kam disa gjëra që kam mësuar; do të shkruaj më gjatë dhe më me hollësi pasi të çlodhem disa ditë. Këtë letër po ia jap ‘delikates’(Nexhmije Xhuglinit). Të përqafoj me mall o ish shoku im i mizeries”.

Terrorizmi i partisë e më pas i shtetit komunist, vijoi gjatë gjithë regjimit të Enver Hoxhës. Po tregojmë me pak fjalë për terrorizmin komunist në vitin 1949 në Mirditë. Sebep, vrasja e Bardhok Bibës, vrasje që të çon po te Enver Hoxha sepse, siç edhe u bë, qëllimi ishte që “vrasja” e Bardhok Bibës të bëhej precedenti për të ndërhyrë në aksionin e gjerë për nënshtrimin e plotë të Mirditës, e cila ishte ngritur në këmbë kundër regjimit komunist.

Ndaj, Enver Hoxha “kokë turku” bëri të parin e vendit, Bardhok Bibën, figurë me reputacion të madh në Mirditë, deputet dhe sekretar i parë i partisë. Për vrasjen shkoi në kryeqendrën e Mirditës në Rrëshen, më 9 gusht të vitit 1949, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe, Mehmet Shehu. Nga Rrësheni i komunikonte drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndout, që ta njoftonte menjëherë Enver Hoxhën se “në të 44 fshatrat e Mirditës, për dy ditë do ndërmerrej një operacion i gjerë ushtarak, ku fillimisht do arrestoheshin 33 vetë, ku 31 prej tyre do dënoheshin me vdekje. Në vijim do arrestoheshin të tjerë plot edhe 84 vetë e do çoheshin nëpër burgje, ku 17 prej tyre në internim në kampin e Tepelenës”.

Të gjithë ata u ndëshkuan se vranë apo morën pjesë a kishin dijeni (në fakt, nuk kishin) për vrasjen e Bardhok Bibës, vrasje që nuk u vërtetua kurrë dhe që ishte vepër e shtetit komunist, që u bë vetëm për nënshtrimin e popullit krenar të Mirditës, një operacion terrorist, i cili si formë pune u shtri dhe veproi ndër vite mbi të gjithë shoqërinë shqiptare, që i kishte rrënjët e hershme të injektuar nga jugosllavët që nga koha e Luftës Antifashiste.

Vijoi ky terrorizëm dhe u bë vijë e vazhdueshme politike e gjithë regjimit komunist në 50 vjet diktaturë. Nisi kundër kundërshtarëve politikë, vijoi me nxjerrje grupesh armiqësore e me përjashtime, dënime, internime e lloj aspekte të luftës së klasave. Regjimi terrorizoi jo vetëm kundërshtarët e tij politikë, por edhe pjellat e veta, madje edhe krijuesit e vetë sistemit, siç qe Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Petrit Dume, Koço Theodhosi e me dhjetëra të tjerë beniaminë e soji i tyre.

Edhe ata, për interesa të ndryshme apo siç i ka cilësuar populli se “egërsira ha pjellën e vet”, edhe sistemi komunist, në afro gjysmë shekulli sundimi në Shqipëri, terrorizoi kundërshtarët politikë, pjesë të tij për rivalitet dhe gjithë popullin. Në periudhën 1944-‘91, janë mbi gjashtë mijë persona te ekzekutuar me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim. Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë dhe dokumente, në Shqipëri janë identifikuar deri më tani 29 vende ku dyshohet se ndodhen trupa të tjerë të burgosurve politikë, të vrarë në periudhën e regjimit komunist.

Exit mobile version