Sardelet kanë vlera të larta ushqyese, prandaj nuk duhet të mungojnë në listën e atyre që duan të ndjekin një dietë të shëndetshme.
Pasi që t’i filetoni sardelet, me këtë recetë do t’ju nevojiten vetëm kripa, limoni dhe vaji i ullirit.
Është shumë me rëndësi të theksohet që për këtë recetë duhet përdorur vetëm sardele të freskëta, prandaj kur të shkoni në dyqan të peshqve, patjetër kushtoni kujdes ngjyrës, syve, verzave dhe aromës së peshkut dhe që mishi të jetë i fortë, e jo i lëshuar apo butë, transmeton Telegrafi.
1. Pastroni sardelet dhe thani në letër kuzhine dhe pastaj kriposni. Kur ta përfundoni këtë qitni sipër me bollëk lëng limoni.
2. Sardelet duhet lënë në lëng një deri në dy orë, varësisht nga madhësia e tyre. Mishi patjetër duhet të ndryshojë ngjyrën nga e kuqja apo bordo do të bëhet pothuajse e bardhë.
Gjithashtu duhet pritur që kripa të shkrihet në lëngun e limonit dhe pastaj të përgatitet për veprimin e fundit.
3. Kur të jetë gati mishi për konsumim, nxirreni nga marinada dhe rendisni në pjatë tjetër dhe qitni sipër vaj ulliri. Ju propozojmë që me sardelet e përgatitura në këtë mënyrë të shërbeni sallatë dhe domate qershi me pak uthull balsamike.
Edhe pse pa përpunim termik, nëse sardelet i përgatisni në këtë mënyrë në vaj ulliri, mund t’i ruani në frigorifer deri shtatë ditë.
Ju bëfshin mirë! /Telegrafi/