LAJMI I FUNDIT:

Vitet kalojnë, por Valbona Selimllari nuk plaket!

Vitet kalojnë, por Valbona Selimllari nuk plaket!

Sepse është personazhi që e duan të gjithë prej njëzet e pesë vjetësh. Ajo thotë se kjo ndodhë ngase është natyrale dhe jo ekstravagante. Për këtë dhe për disa arsye të tjera, që ne u munduam t’i zbulojmë në takimin e radhës, ku mësuam edhe ca sekrete më shumë…Por jo nga ato që ju shkojnë ndërmend ju…

Përtej rrethit të saj të miqve dhe njerëzve të lidhur me televizionin apo botën e spektaklit që ia dinë këtë dhunti, pakkush e di që Valbona Selimllari është kaq e aftë në gjithçka që ka të bëjë me të bukurën. Edhe pse në shumë spektakle emrin e saj mund ta kenë parë në titra si kuratore estetike apo emërtime të ngjashme, nuk kanë as më të voglën ide se sa e zonja është në këtë fushë apo se çfarë është e aftë të bëjë.

Ndoshta ajo është i vetmi personazh në Shqipëri, nga e cila askush nuk pret të bëjë asgjë, por vetëm të jetë e bukur. Dhe jo vetëm kaq, por presin që ajo të mos ndryshojë kurrë dhe pasi ajo ua plotëson dëshirën, vijojnë të habiten: “Si nuk kalojnë vitet, si nuk plaket Valbona Selimllari!”


Kam ndryshuar, si nuk kam ndryshuar?!”, ta kthen Bona menjëherë, duke treguar me fjalë e me gjeste ca gjëra të vogla që vetëm syri i saj mund t’i kapë, gjatë bisedës për revistën Living. Sigurisht që ka ndryshuar, se kanë kaluar plot njëzet e pesë vjet që nga dita kur hyri në histori si “Miss”-i i parë shqiptar dhe mbeti në kujtesën e të gjithëve, jo thjesht se qe e para, por sepse vijon të mbetet e bukur me gjithë vitet e shkuara dhe dhjetëra vajza të kurorëzuara.

1

Të tjerët komentohen edhe për keq, kritikohen apo shahen, kurse Bona, pothuajse kurrë. Ndoshta sepse ka ditur të rrethohet vetëm me optimizëm dhe të mos prodhojë lajme negative. Madje dhe në rikthimin më të fundit në ekran, si anëtare jurie në “Dance With Me”, pozicion ku të gjithë bëhen antipatikë dhe marrin mbi vete mallkimet apo sharjet e fansave të konkurrentëve, Bona sërish mbetet simpatike.

Ajo ka bërë edhe atë që pakkush e ka pritur prej saj, ka ngritur disa herë zërin dhe ka bërë polemika: të gjithë kanë qenë me të, askush kundër saj. Nuk ka hyrë as në gojën e “gjuetarëve të botoksit”, që e kalojnë ditën duke bërë zoom mbi foto grash e burrash për të parë ku janë ndërhyrjet estetike. “Jo, jo, nuk kam bërë ende gjë. Edhe po bëre ti, mos i mbush mollëzat kurrë, se do të transformohesh dhe nuk do të jesh më ti”, kalon Bona menjëherë në këshillë.

Edhe në pjesën tjetër të kujdesit për veten, të lë me gisht në gojë: nuk ka as maska magjike antirrudhë, sepse është dembele për t’i përdorur, dhe as ndonjë trajtim të veçantë për celulitin apo trupin. Përdor kremrat, edhe pse ndonjë nga ata të mirët mund ta blejë, ta përdorë një herë dhe ta harrojë që e ka e në vend të tij të përdorë diçka të lirë, por që asaj i jep vërtet efekt. Ndërsa për celulitin nuk ka asnjë këshillë, veç asaj: “Vish rroba që të bëjnë të ndihesh mirë. Celulitit nuk kemi çfarë t’i bëjmë! Megjithatë, unë kurrë nuk ndihem keq me veten. Në përgjithësi, jam njeri që nuk kompleksohem dhe nuk e vras mendjen. Sigurisht që me kalimin e viteve nuk jam njësoj. Jam edhe nënë dhe normalisht, s’mund të jem njësoj. Unë jam pak dembele. Dikur kam qenë sportiste profesioniste dhe ky ka qenë një favor i madh, sepse e ndiej që akoma i kam të mirat e sportit në fizik. Rënia e trupit me kalimin e viteve është normale dhe e pashmangshme, por fakti që unë nuk bëj asgjë dhe prapë mendoj se jam mirë, besoj se e kam nga sporti i dikurshëm. Nuk kam turp fare: mund të mos dukem dhe aq mirë, por kjo është e justifikueshme, përderisa nuk kujdesem”.

2

“Jam me fat që këtë zonë e kam ende shumë mirë edhe pa treguar ndonjë kujdes të veçantë”.

Me fjalën “fat”, ajo nënkupton me siguri gjenet e prindërve, që i kanë dhuruar këtë lloj rinie të përjetshme. “Ne të katër fëmijët kemi lëkurë të mirë, kemi ca gjëra të mira që besoj se janë në ADN”, -thotë Bona. E përtej këtij fati të parathënë që në lindje, të tjerat janë ato që ajo ka ndërtuar dhe ka ngritur ditë pasdite. Nuk është fat të të duan, askush nuk lind me dhuntinë për t’i bërë njerëzit për vete. Kjo është një nga ato gjëra që Valbona e ka ndërtuar vetë ditë pas dite dhe nuk është pak. “Them se jam e mirë”, – thotë duke qeshur, – “dhe njerëzit më duan. Nuk jam ekstravagante dhe besoj se njerëzit janë të prirë ta shohin dhe ta vlerësojnë thjeshtësinë. U pëlqen natyralja”.

Ashtu siç e duan për pamjen natyrale, e duan edhe për ato që ka bërë. Ajo nuk e ka tepruar asnjëherë me praninë e saj në ekran. Me sa duket, filozofia “pak, e saktë” ka bërë që njerëzit ta presin me mall. Dikur, fill pas fitores së titullit të “Miss”-it, i mjaftonte një spektakël në vit me Vera Grabockën, por nga ato spektakle që i shihnin dhe komentonin të gjithë. Skenën e teatrit e ka prekur shumë pak, aq sa pakkush e mban mend vetëm në rolin e Dona Elvirës te “Don Zhuani”.

“S’kam mundur ta shoh veten asnjëherë si aktore”, – tregon Bona, – “ndoshta zgjodha Akademinë e Arteve si mundësinë më të lehtë për t’u diplomuar. Por jo, nuk e kam ëndërruar veten asnjëherë as në skenën e teatrit e as në sheshxhirim”. Përtej atyre pak shfaqjeve në kohën e Akademisë apo spektakleve të pakta që ka bashkëprezantuar, pjesën tjetër të kohës Valbona Selimllari e ka kaluar më tepër në prapaskenë. “Ndoshta kjo ndodhi se nuk e kisha ambicien e duhur për të qëndruar në skenë, apo për të ecur përpara”.

3

Edhe pse prapaskena është më e lodhshme, edhe pse aty duhet të përkujdesesh për të tjerët dhe të qëndrosh më në hije, gjithsesi, kjo është një punë që ajo i është përkushtuar për vite me radhë. Siç ka punuar për vite me radhë me marketingun e produkteve, ka punuar çdo ditë edhe në zyrë, në hije, pra. Për t’u shfaqur vetëm me sezone, siç ndodhi për dy vjet rresht me produksionin “Nga e para”, një nga më të suksesshmit e ekraneve shqiptare në vitet e fundit, transmetuar në Vizion Plus. Apo si anëtare jurie në një produksion në TV Klan ku, ndonëse siç tregoi me një numër koreografik në sezonin e parë, mund t’ia dilte shumë mirë si kërcimtare. Por, Valbona as që është tunduar për të marrë një rol të tillë. Jo vetëm sepse është nga ato perfeksionistet që nuk mund të bëjë kurrë diçka për të cilën nuk është e sigurt që do të jetë super e realizuar, por edhe sepse kjo do të kërkonte shumë kohë dhe përkushtim, orë të tëra provash, krejt ndryshe nga pjesëmarrja në jurinë e kërcimit ku impenjimi në kohë është minimal. Sepse Valbona nuk është nga ato nëna që ndonëse ka mundësi të jetë e rrethuar nga një tufë familjarësh që e ndihmojnë, heq nga koha që u kushton fëmijëve. Është më se e kujdesshme t’u gjendet pranë në të gjitha aktivitet pas shkollës dhe e ka tashmë të kthyer në ligj që nuk shkelet: asnjë punë në fundjavë, kjo kohë është vetëm për tre fëmijët e saj.

Tashmë që djemtë kanë nisur të rriten, teksa janë krenarë kur ajo i ndjek në të gjitha aktivitetet artistike apo sportive të shkollës, ata kanë nisur të kërkojnë pak më shumë vëmendje kur shfaqen me mamin në publik. E shoh me njëfarë shprese, duke menduar se ndoshta kësaj radhe do të bëj bingo, ajo do të dojë të dalë në revistë me ta, por Bona nuk më lë as ta shpreh dëshirën me zë të lartë. “U kam thënë që kur të shkojnë tetëmbëdhjetë vjeç, pra, të jenë rritur e të jenë më të përgjegjshëm për atë çka do të duan të bëhen në jetë, nëse ndonjë revistë do të dojë që ata të pozojnë, atëherë ata mund ta bëjnë. Por deri atëherë janë thjesht fëmijët e një njeriu të famshëm dhe kjo nuk ka pse t’i bëjë të famshëm dhe ata…”

Shumë pasione përgjysmë

Nëse nuk do të kishte marrë pjesë në atë konkurs të parë të bukurisë, Valbona Selimllari me siguri që do t’ia kishte dalë mbanë gjetiu. Ndoshta në njëfarë mënyre, ajo kurorë mund dhe t’i ketë bërë pak dëm, pasi e ka bërë të mjaftohet me aq dhe të mos ndjekë deri në fund pasionet e saj. Mund të ishte bërë piktore e mirë: edhe sot e kësaj dite vijon të habisë me punët e saj. Ose ndoshta do të hiqte dorë dhe prej atij talenti të lindur, sepse nuk është ambiciozë sa duhet…

4Po, po, edhe pse vijon të mbetet e preferuara e të gjithëve, Valbona Selimllari nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme për të arritur aty, as ka pasur kurrë ambicien për të qenë e tillë. Që nuk është njeri ambicioz, këtë e vërteton më së miri heqja dorë nga violina. “Studioja për violinë me Robert Radojën, dhe s’duhet të kem qenë keq, përderisa në konkursin për të hyrë në shkollë, dola e para. Por ndodhi një gjë e çuditshme nga këndvështrimi i sotëm, s’di ta shpjegoj. Vajza e vendit të dytë, filloi të qante dhe unë, me të parë këtë skenë, u tërhoqa. la lashë asaj vendin tim. Kështu e braktisa violinën dhe fillova të shijoj sportin. Nuk ishte zëvendësim i keq”.

Me sport Valbona është marrë që e vogël. Por sërish, jo sepse kishte ndonjë ambicie për t’u bërë kampione gjimnastike, por thjesht sepse prindërit kishin preferuar ta fusnin në një klase fizkulture, ngaqë ishte si çun arrakat dhe kishte shumë energji. “Jam marrë gjatë me këtë sport, plot 8 vjet. Pastaj ekipi u shpërbë. Gjithsesi, gjimnastika është një lloj sporti prej të cilit detyrimisht duhet të shkëputesh shpejt. Kësisoj, unë në vit të tretë të shkollës së mesme, hoqa dorë nga gjimnastika”.

Por Valbona Selimllari nuk është nga ato që i përjeton keq heqjet dorë. Di të mos ketë pengje: ajo që ikën, ikën dhe është koha për të parë përpara. Pasionet janë pasione, apo kujtime të bukura, e tashmja ka rëndësi. Megjithatë, atë kudo që ta hedhësh, do të bjerë me këmbë në tokë, qoftë dhe sikur t’ia nisë nga e para.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori