Si ndihmon goditja ndaj mafies në rritjen ekonomike të vendit

Kur shteti shkatërron rrjetet kriminale, krijon hapësirë që ndërmarrjet e ndershme të lulëzojnë.
Nga: Ixart Miquel-Flores, analist mbikëqyrës në Bankën Qendrore Evropiane dhe doktorant në Shkollën e Frankfurtit për Financa dhe Menaxhment / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Për një kohë të gjatë, lufta kundër krimit financiar është paraqitur si një zgjedhje e rreme: ose toleron paratë e pista, ose rrezikon të ngadalësosh ekonominë. Ky perceptim është i fuqishëm. Autoriteti i ri i Bashkimit Evropian për Luftën kundër Pastrimit të Parave (AMLA) ofron një mundësi për të rishikuar sistemin dhe për të shkatërruar këtë dikotomi të rreme.
Prova më bindëse se shkatërrimi i bizneseve kriminale mund të shërbejë si një formë e fuqishme e stimulimit ekonomik, vjen nga përvoja - e fituar me shumë mundim - e Italisë.
Për dekada me radhë, kontrolli i organizatave mafioze kriminale ka shtrembëruar konkurrencën në treg dhe ka penguar inovacionin. Duke depërtuar në sektorë të ligjshëm - nga ndërtimi te tregtia me pakicë - këto grupe kanë vendosur një taksë parazite mbi rritjen dhe kanë përjashtuar iniciativën private.
Ndërmjet viteve 2018 dhe 2021, në të gjithë Italinë u shkatërruan gati 700 kompani të lidhura me mafien. Një studim i BQE-së [Banka Qendrore Evropiane] mbi ndikimin e kësaj goditjeje - i realizuar në bashkëpunim me një ekip studiuesish nga Shkolla e Frankfurtit për Financa dhe Menaxhment [Frankfurt School of Finance & Management], Universiteti i Padovës dhe Universiteti i Sietlit - tregon se çmontimi i kompanive të kontrolluara nga mafia mund të nxisë produktivitetin në zonat e prekura.
Duke lidhur veprimet policore me rrjedhën e kredisë në nivel lokal, studimi fokusohet tek efektet e valëzuara në bizneset përreth që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me krimin. Rezultatet janë të jashtëzakonshme. Në zonat ku firmat mafioze u mbyllën, kreditimi për bizneset e ligjshme u rrit nga 0.8 për qind deri në 2.1 për qind në krahasim me zonat ku nuk pati veprime policore. Në total, vlerësojmë se deri në 3.6 miliardë euro kredi të reja u kanalizuan drejt kompanive lokale, të cilat tani janë në gjendje të zgjerojnë veprimtarinë dhe të konkurrojnë në kushte të barabarta.
Ky përfitim ekonomik është i prekshëm. Ai mishërohet në lëvizjet lokale kundër mafies si Lamtumirë Haraç [Addiopizzo] në Palermo, ku - të mbështetur nga konsumatorët lokalë - mbi një mijë biznese kanë refuzuar kolektivisht të paguajnë para për mbrojtje. Shihet në suksesin e kooperativave si Libera Terra e cila prodhon pasta dhe verë organike në toka të konfiskuara nga bosët famëkeq të mafies, duke krijuar qindra vende të ligjshme pune. Kur shteti çrrënjos rrjetet kriminale, ai krijon hapësirë që ndërmarrjet e ndershme të zhvillohen.
Përfitimet nuk kufizohen vetëm te kredia. Kur rrjetet e dhunës shpërbëhen, produktiviteti përmirësohet. Të çliruara nga frika, bankat mund të kryejnë siç duhet funksionin parësor - të shpërndajnë kapital në mënyrë efikase te kompanitë më premtuese, jo tek ato më kërcënuese. Tregjet bëhen më të ndershme dhe konkurrenca më e shëndetshme. Hulumtimi ynë konfirmon një të vërtetë më të thellë: rajonet e rënduara nga krimi i organizuar mbeten prapa për shkak të institucioneve të dobëta që lejojnë lulëzimin e korrupsionit.
Megjithatë, ka një nuancë të rëndësishme. Pas goditjes ndaj krimit, kostot e huamarrjes mund të rriten lehtësisht. Kjo nuk është shenjë dështimi, por e rritjes së transparencës. Ndërhyrja policore nxjerr në dritë rreziqet që më parë ishin të fshehura, duke bërë që tregu të rivlerësojë çmimet. Ky “efekt informacioni” flet për një sistem financiar më efikas. Kryesorja, rregullimi kompensohet më shumë se mjaftueshëm nga fluksi i investimeve të ligjshme dhe nga rindërtimi i besimit.
Gjetjet tona nxjerrin në pah edhe një dallim tjetër kyç: jo të gjitha bankat reagojnë njësoj. Bankat lokale, me lidhje të thella në komunitet, përshtaten më shpejt dhe arrijnë të dallojnë më mirë huamarrësit e besueshëm. Ndërsa, huadhënësit e huaj ose që nuk janë vendorë, të cilët nuk kanë njohje të tillë të detajuar, kanë tendencë të rrisin ndjeshëm normat e interesit kur përballen me ekspozim ndaj krimit. Kjo nënvizon nevojën për mbështetje të targetuar për institucionet financiare lokale, në mënyrë që të ruhet rrjedha e kreditimit gjatë operacioneve të pastrimit kriminal.
Këto mësime kanë ndikim përtej Italisë. Krimi i organizuar është parazit global që rrjedh triliona euro nga ekonomia botërore. Agjencia e re evropiane për luftën kundër pastrimit të parave, duhet ta marrë seriozisht këtë përvojë.
AMLA do të ndihmojë në koordinimin e rregullatorëve kombëtarë, mbikëqyrjen dhe forcimin e ndarjes së informacionit përtej kufijve. Por, thjesht, shtimi i burokracisë nuk mjafton. Hartuesit e politikave duhet ta shohin luftën kundër krimit si investim për zhvillim: një mjedis ku biznesi i pastër tërheq kapital.
Që kjo të funksionojë, BE-ja duhet të kombinojë zbatimin e ashpër të ligjit me mbështetje praktike. Ndarja e të dhënave mes agjencive ligjzbatuese dhe mbikëqyrësve bankarë duhet të jetë e shpejtë dhe e sigurt. Regjistrat e hapur të kompanive dhe të dhënat për pronësinë mund të ndihmojnë në identifikimin e rreziqeve përpara se ato të përhapen.
Shpeshherë, debatet mbi luftën kundër krimit të organizuar përqendrohen te argumentet morale ose të sigurisë - por, argumenti ekonomik është po aq i fortë. Përvoja e Italisë tregon çfarë është e mundur. Për Evropën, mesazhi është i qartë: nëse dëshironi një ekonomi më konkurruese dhe më të qëndrueshme, lufta kundër korrupsionit nuk është kosto, por është investim. /Telegrafi/



















































