Më 3 gusht 2025, partia serbe Novo lice Srbije [Fytyra e re e Serbisë] njoftoi se i është bashkuar Iniciativa Qytetare kosovare Narodna pravda [Drejtësia kombëtare] dhe se në Kosovë do të veprojnë me emrin Novo lice – Narodna pravda [Fytyra e re - Drejtësia kombëtare].

Pas publikimit të koalicionit, ata deklaruan se serbët në Kosovë janë lënë në “mëshirën e Milan Radoiçiqit dhe Albin Kurtit, me të cilët Lista Serbe [Srpska Lista] ka marrëdhënie miqësore”, dhe se është thelbësore që serbët të luftojnë për të qëndruar në institucione dhe për të mbrojtur komunat ku shumica është në zgjedhje.


Tashmë politika zyrtare e Beogradit dhe e Listës Serbe është e qartë: kush nuk i voton, shpallet “tradhtar” dhe linçohet.

Siç e tregon edhe reagimi i Listës Serbe [LS], çdo alternativë përshkruhet si “krah i zgjatur i Albin Kurtit”, ndërsa LS-ja ia atribuon vetes monopolin e përfaqësimit “autentik” të serbëve, duke akuzuar kundërshtarët se duan “të eliminojnë të gjithë përfaqësuesit autentikë serbë”. Për më tepër, institucionet e Kosovës kornizohen si “pushtim dhe ndërhyrje e dhunshme e Prishtinës”, gjuhë që përdoret për të frikësuar votuesit dhe për të stigmatizuar si “tradhtarë” serbët që zgjedhin pjesëmarrjen në institucione. Kjo tregon se mesazhi nuk synon zgjedhje demokratike, por ruajtjen e kontrollit përmes linçimit politik.

Prandaj, Lista Serbe godet çdo alternativë të re në Kosovë: synimi është autokracia; mjeti, shantazhi, stigmatizimi dhe blerja e votës.

Në zgjedhjet e shkurtit 2025, Misioni i Vëzhgimit të BE-së (EU EOM) raportoi presion mbi votues të varur nga ndihma sociale dhe punësimi i Serbisë, duke lënë pak hapësirë reale për pluralizëm serb.
Ky model i blerjes së votës përmes “shantazhit të butë”, pritet të rishfaqet në tetor, në zgjedhjet lokale në Kosovë, me skemat e quajtura “ndihmë sociale” të operuara nga e ashtuquajtura “Zyra për Kosovë dhe Metohi”. Siç ka deklaruar publikisht Petar Petkoviq, nga vjeshta 2025 do të nisë një raund i ri pagesash mujore prej 20 000 dinarësh për 5 000 persona të tjerë në Kosovë, pikërisht para zgjedhjeve lokale të tetorit (shih statusin: këtu). Kjo vjen mbi skemat ekzistuese, duke zgjeruar mbulimin dhe presionin elektoral.
Në thelb, “ndihma sociale” përdoret si levë varësie politike: ruan monopol partiak, saboton integrimin institucional të serbëve në Republikën e Kosovës dhe e kthen procesin zgjedhor në një mekanizëm të kontrolluar.

Nga e gjithë kjo del se demokracia te serbët në Kosovë është ankthi i regjimit të Vuçiqit. Kjo është dëshmuar me dhjetëra herë, nga vrasja e opozitarëve serbë në Kosovë, si Oliver Ivanoviqit, te stigmatizimi i tyre e deri te manipulimi i opinionit me opozitarë të rremë, si në rastin e Aleksandër Arsenijeviqit.

Çfarë duhet të ndodhë para tetorit

- Task-forcë KQZ-Prokuroria-Policia kundër blerjes së votës: hetime të shpejta, linjë raportimi anonime, mbrojtje dëshmitarësh;

- Auditim i rreptë i flukseve të parave që hyjnë nga Serbia dhe i transaksioneve të dyshimta;

- Mbikëqyrje ndërkombëtare e shtuar në komunat me shumicë serbe; EU EOM/OSBE të implementojnë monitorim të synuar mbi rrjetet e “ndihmës” dhe punësimit;

- Sanksione të synuara (BE/ShBA dhe Kosovë) ndaj zyrtarëve që operojnë skemat e kushtëzimit elektoral;

- Mesazh publik i qartë: pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës nuk është tradhti; intimidimi politik ndiqet penalisht.

Për fund duhet ta kemi parasysh se:

Kjo s’është ndihmë sociale; është tarifë besnikërie me para publike. Në tetor vendoset nëse Kosova dhe ShBA-ja dhe BE-ja pranojnë votime të lira apo menaxhim varësie të serbëve. Tani duhen hetime, auditim i fondeve dhe monitorim i synuar, ose pranojmë që gara është farsë.
Nëse frika paguhet, kutia e votimit shndërrohet në arkë të regjimit dhe nëse opozita linçohet, demokracia shëndrrohet në diskurs të autokracisë.

(Autori është hulumtues i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” dhe profesor në Kolegjin UNI)