LAJMI I FUNDIT:

“Shtegu i Shpresës” nga Prekazi deri në Koshare

“Shtegu i Shpresës” nga Prekazi deri në Koshare

Asociacioni i Vrapimit Malor të Kosovës (KTRA), me rastin e 19 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka organizuar vrapimin nga Prekazi në Koshare.

Ngjarja e cila titullohet “Shtegu i Shpresës: I kujtojmë të gjithë”, është 100 kilometra i gjatë me 2 mijë kilometra ngjitje përgjatë shtegut, ku qëllimi i tij është që të kujtohen dhe nderohen dëshmorët dhe martirët e luftës në Kosovë.

Organizimi paraqet një trajektore të luftës së Kosovës. Filloi në Prekaz, aty ku ishte kryer sulmi ndaj familjes Jashari. Vrapuesit i priti përfaqësuesi i kësaj familjeje, Rifat Jashari.


Arineta Mula, si njëra prej bartëseve të këtij organizimi dhe themeluese e KTRA, ka thënë se Asociacioni në fjalë është i pari në vrapimin malor në vend.

Ajo më tutje ka treguar për Telegrafin se ata si grup ka pesë vite që vazhdimisht vrapojnë në mëngjes, duke shtuar prej këtu ka filluar ideja për tu bërë pjesë e iniciativave të tilla.

“Duke e praktikuar këtë gjë, më pas u kthye në diçka rutinore, ku më pas kemi dëshiruar ta sfidojmë veten, duke vizituar vende dhe shtigje të ndryshme”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, ky organizim është bërë për ta rikujtuar sakrificat e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, duke shtuar se janë duke u ndjerë shumë mirë për rikujtimin dhe nderimin që po ua bënë atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e vendit.

Shtegu i vrapimit përfundon në Koshare, vendi ku u zhvillua beteja e fundit e UÇK-së në Prill të 99-ës. Pjesëmarrësit do të mbajnë një minutë heshtje për nder të viktimave të luftës.

Shtegu ka marrë përkrahje në rrjetet sociale nga figura të njohura si këngëtarja Rita Ora, xhudistja Majlinda Kelmendi apo ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku, ambasadori britanez në Kosovë, Ruari O’Connell etj. /Telegrafi/