Kryeministri theksoi humbjen e qindra dhe mijëra jetëve të pafajshme njerëzore nga diktatura komuniste dhe nënvizoi se diktatori paranojak dhe bllokmenët e tij, i dhanë Shqipërisë urinë, mjerimin, sëmundjet, shuan qindra mijëra jetë që nga foshnjat e sapolindura deri tek shqiptarët e të gjitha moshave.

Berisha ftoi qytetarët të nderojnë me një minutë heshtje viktimat e regjimit barbar komunist. Mijëra njerëz të mbledhur në shesh qëndruan në heshtje duke nderuar kujtimin e tyre. Kryeministri nënvizoi se shqiptarët festojnë sot një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. “20 shkurti është dita e lirisë dhe guximit|, tha Berisha duke shtuar se shqiptarët festojnë sot ditën e ngadhënjimit të lirive dhe dinjitetit të tyre njerëzor.


Kryeministri tha gjithashtu se kjo ditë ishte fitorja e besimit mbi dëshpërimin e thellë dhe nënvizoi trimërinë dhe vetëmohimin e qytetarëve mbi dhunën dhe terrorin e diktaturës më të egër dhe më çnjerëzore në Evropën Juglindore.

“Festojmë ditën e përmbysjes së historisë bunker”, tha Berisha duke theksuar nderimin për mijëra e mijëra qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që përmbysën regjimin diktatorial.

Berisha vuri në dukje se janë këto 20 vjet nuk kanë qenë të lehta. Ai iu drejtua gjithë atyre të rinjve që nuk e përjetuan diktaturën dhe regjimin skllavërues të bllokmenëve, duke u bërë thirrje ta kujtojnë këtë ditë si dita e kurajës njerëzore, lirisë dhe dinjitetit, si dita kur u shkallmua blloku bunker.

Berisha nënvizoi se nuk ka më kthim mbrapa. “Të mos e provojnë më, liria është pasioni im”, tha Berisha, duke thënë se Shqipëria sot është vend i lirë dhe pjesë e botës së lirë, vend i zgjedhjeve të lira dhe i demokracisë funksionale. Berisha tha se pinjollët e bllokmenëve nuk kuptojnë se populli shqiptar nuk ka folur kurrë me zërin e tyre. /Telegrafi/