Për herë të parë në histori dy kryeministra ballkanikë i kane zhvilluar në gjuhen shqipe komunikimin mes tyre dhe me opinionin publik. ”Shqiptaret kurrë s’kanë qenë më të afruar dhe stabilizuar. Jam për mosndryshimin e kufijve, por synojmë integrimin rajonal. Duhet bërë dallimi midis identitetit kombëtar dhe shtetëror. Jemi dy identitete të ndara shtetërore, por edhe Shqipëria edhe Kosova i përkasin të njejtit identitet kombëtar: Ne jemi shqiptarë!” tha kryeministri Thaçi lidhur me pyetjen nëse Shqipëria dhe Kosova do të mund të bashkoheshin një dite.

”Mendoj se kësaj pyetje përfundimtare i ka dhënë pavarësia e Kosovës. Në bindjet e mia pavarësia e Kosovës ka qenë dhe është projekti më i besuar, më madhor, për të cilën qytetarët e Kosovës bënë rezistencë. Është një kryevepër e qëndresës së Kosovës dhe ky projekt është projekti më i respektuar në Shqipëri”, tha nga ana e tij kryeministri shqiptar, Berisha.

Të dy kryeministrat kanë diskutuar për klimën e mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Berisha nga ana e tij e ka konsideruar të rëndësishme këtë vizitë të homologut të tij kosovar dhe ka përshëndetur kryeministrin Thaçi për zhvillimet në vend para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Kryeministri Thaçi nga ana e tij falënderoi kontributin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës. “...Ju theksoj se liria dhe pavarësia e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me kontributin e Shqipërisë, ju falënderoj në emër të Kosovës, popullit Qeverisë”, tha Thaçi.

Gjithashtu të dy kryeministrat shprehën dëshirën për bashkëpunim në fushën e arsimit, biznesit, sigurisë dhe drejtësisë. Thaçi nga ana e tij siguroi se Kosova pas shpalljes së pavarësisë është një shtet me siguri të plotë territoriale. Në aspektin e sigurisë, vetë Berisha u shpreh se të dy vendet do të bëjnë të pamundurën për zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. “Ne do ta faktojmë se tolerance jonë ndaj krimit të organizuar do të jetë zero”, tha Berisha. /Balkanweb/Telegrafi/