Shpallen përfituesit e serave në Malishevë

Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Malishevës ka njoftuar se janë shpallur rezultatet për përfituesit në kuadër të projektit “Përmirësimi i punësimit dhe mundësive për gjenerimin e të ardhurave në zonat rurale”.
Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me organizatën IADK dhe synon mbështetjen e zhvillimit ekonomik në zonat rurale, përmes krijimit të mundësive të reja për punësim dhe gjenerim të të ardhurave.
Sipas njoftimit, janë përzgjedhur përfituesit për serrat me sipërfaqe 200 metra katrorë, si dhe për programin e trajnimit profesional në sektorin e blegtorisë.
Nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural bëhet e ditur se listat e përfituesve janë publikuar dhe janë të qasshme për të gjithë aplikuesit.
Autoritetet komunale kanë theksuar se projekte të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synim fuqizimin e bujqësisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural në komunë. /Telegrafi/


















































