Show i Strugës në Kumanovë, pesë gola ndaj Bashkimit

Pas katër javëve të para, Liga e Parë e Maqedonisë ka dy lider, janë Struga dhe Sileksi që ndajnë kreun e renditjes me 12 pikë të plota, njofton Telegrafi.
Struga Trim-Lum vazhdon marshimin perfekt në kampionatin e Ligës së Parë të Maqedonisë, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi. Ish-kampionët nuk patën mëshirë ndaj Bashkimit në Kumanovë, duke shënuar fitore bindëse me rezultat 0-5.
Skuadra vendase rezistoi deri në minutën e 23-të, kur mbeti me një lojtar më pak pas ndërhyrjes së ashpër të Marko Simonovskit ndaj Gledi Micit, që u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it. Nga aty gjithçka ndryshoi, Struga shfrytëzoi epërsinë numerike dhe shënoi shpejt me Kompaoaren (24’) dhe Radeskin (36’).
Në pjesën e dytë Kompaoare realizoi edhe golin e dytë personal, ndërsa në fundin e takimit rrjetën e gjetën edhe Bunjamin Shabani dhe Kristijan Maleski, duke vulosur një fitore të thellë 0-5. Struga tashmë ka katër fitore në po aq ndeshje, duket e vendosur të luftojë sërish për kreun e tabelës. Për Bashkimin kjo ishte disfata e parë pas rikthimit në elitë.
Nga ana tjetër, Sileksi po tregon forcë. Nënkampioni fitoi në udhëtimin e vështirë ndaj Arsimit në Gostivar me rezultat minimal 0-1, duke mbajtur gjithashtu bilanc perfekt prej katër fitoreve në katër ndeshje dhe asnjë gol të pësuar.
Golin vendimtar e realizoi Martin Mirçevski (17’). Pas katër javëve të para, Struga dhe Sileksi ndajnë kreun e renditjes me 12 pikë të plota. /Telegrafi/


















































