Shoqata “Gjeravica” shënon Ditën e Tokës me mbjellje fidanësh në Pejë

Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Shoqata Bjeshkatare “Gjeravica” organizoi një aktivitet simbolik për mbjelljen e fidanëve në qytetin e Pejës dhe përgjatë Shtegut të Shëndetit.
Më shumë se 30 fidanë u mbollën nga rreth 40 vullnetarë, përfshirë edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të qytetit, të cilët me energjinë dhe përkushtimin e tyre e bënë këtë ditë edhe më të veçantë.
Përfaqësues të shoqatës theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit për ruajtjen e mjedisit dhe vlerësuan kontributin e të gjithë pjesëmarrësve.
“Çdo pemë e mbjellë sot është një premtim për një të ardhme më të gjelbër dhe më të shëndetshme,” u shprehën organizatorët.
Aktiviteti u mbështet nga sponsorë lokalë dhe kontribues të ndryshëm që siguruan fidanët dhe logjistikën e nevojshme për realizimin e tij.
Kjo nismë vjen si pjesë e angazhimit të Shoqatës “Gjeravica” për ruajtjen e natyrës dhe promovimin e vlerave ekologjike në komunitet./Telegrafi/


































