Shoferi vozit 143 km/h në zonë me kufizim 50 – ndëshkohet me gjobë dhe masë ndalimi
Njësia e Trafikut Rrugor në Ferizaj ka ndëshkuar një shofer për tejkalim të shpejtësisë, gjatë kontrolleve me radar të zhvilluara në rrugën magjistrale Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani.
Rreth orës 01:25 të mëngjesit, policia ka identifikuar një veturë të markës BMW me targa të huaja që po lëvizte me 143 km/h, në një zonë ku kufizimi i lejuar i shpejtësisë është vetëm 50 km/h.
I dyshuari, A.R., 33 vjeç, është ndëshkuar me një gjobë prej 300 eurosh, si dhe i është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit për tre muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka theksuar se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aktivitete të shtuara me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Në këtë kuadër, autoritetet kanë bërë apel për respektim të rregullave të komunikacionit, duke ftuar qytetarët që të raportojnë çdo shkelje apo rrezik të mundshëm.
Policia garanton se të gjitha informacionet e raportuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/






























