Derbi i kryeqytetit mes Shkupit dhe Vardarit këtë herë nuk kishte atmosferën tradicionale, pasi u zhvillua në Strumicë, pa praninë e tifozëve dhe me dy skuadra që sot kanë pamje krejtësisht të ndryshme nga koha e artë e tyre, njofton Telegrafi.

Java e katërt e elitës së futbollit vendor nisi pikërisht me këtë duel, i cili ofroi pesë gola vetëm në pjesën e parë, ndërsa në fund triumfuan mysafirët e Vardarit me rezultat 2-4.


Shkupi e nisi më mirë takimin dhe qysh në minutën e parë kaloi në epërsi, gjegjësisht në sekondën e nëntë, pas një devijimi të pafat të Matiçit, që e dërgoi topin në rrjetën e vet. Por, Vardari reagoi shpejt dhe në minutën e 11 barazoi me golin e talentit Danev, i cili shënoi me kokë pas asistimit të Manevskit. Kuqezinjtë vazhduan presionin dhe në minutën e 35 përmbysën rezultatin falë Omeragiqit (1-2).

Shkupi nuk u dorëzua dhe përfitoi nga një tjetër gabim në mbrojtjen kundërshtare, me Destanin që solli sërish barazimin (2-2). Megjithatë, në fund të pjesës së parë, pas një tjetër krosimi të Manevskit, ishte Zakariqi që e riktheu epërsinë e Vardarit (2-3).

Në pjesën e dytë ritmi ra dukshëm. Vardari menaxhoi epërsinë, ndërsa Shkupi nuk arriti të krijonte rrezik serioz në portën e Taleskit. Në minutat shtesë, rezervisti Spahiu vulosi gjithçka me golin e katërt për Vardarin, duke e mbyllur ndeshjen 2-4.

Me këtë fitore, Vardari ngjitet në krye të tabelës me 10 pikë, ndërsa Shkupi mbetet në fund me katër humbje në katër ndeshje. Në xhiron e pestë, Vardari do të përballet me Makedonija Gj.P., kurse Shkupi sërish në Strumicë do të luajë si mysafir kundër AP Brera. /Telegrafi/

telegrafi sport app