Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Bajram Curri” në Sllatinë e Madhe ka njoftuar prindërit dhe kujdestarët për vendimin e ri që ndalon ardhjen e nxënësve në shkollë me trotinetë elektrikë.

Sipas drejtorit të shkollës, Fidan Hasani, vendimi është marrë pas konsultimeve me Stacionin Policor në Fushë Kosovë, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në ambientet shkollore dhe për të parandaluar rreziqet apo lëndimet e mundshme gjatë rrugës për në shkollë ose në hapësirat përreth saj, përcjell Telegrafi.


Duke pasur parasysh ligjin në fuqi, përdorimi i trotinetëve elektrikë lejohet vetëm nga personat mbi 16 vjeç. Prandaj, shkolla kërkon bashkëpunimin e prindërve për të siguruar që fëmijët nën këtë moshë të mos përdorin trotinetët për të ardhur apo për të shkuar nga shkolla.

Në rast të konstatohet përdorimi i trotinetëve elektrikë nga nxënës të moshës nën 16 vjeç, rasti do të njoftohet organeve të rendit dhe mjeti do të konfiskohet sipas procedurave ligjore përkatëse.

Drejtori Hasani ka falënderuar prindërit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të rregullt për nxënësit. /Telegrafi/