Një lidhje e harruar me natyrën: Çfarë thotë shkenca për ecjen zbathur në tokë?

Keni provuar ndonjëherë të ecni zbathur në bar, në rërë apo mbi dhe të lagësht pas shiut?
Ndoshta si fëmijë, ose ndoshta edhe sot kur kërkoni një ndjesi çlirimi… Nëse po, atëherë pa e ditur keni praktikuar një nga mënyrat më të vjetra, por edhe më të fuqishme të rilidhjes së trupit me natyrën.
Shkenca e sotme po e konfirmon atë që ndoshta e kemi ditur intuitivisht: ecja zbathur në tokë - e njohur ndryshe si “grounding” ose “earthing” - ka efekte të fuqishme në trup dhe mendje.
Sipas një sërë studimesh të publikuara nga shkencëtarë ndërkombëtarë, kjo praktikë e thjeshtë ndihmon në reduktimin e inflamacionit, përmirësimin e gjumit, uljen e stresit dhe rregullimin e ritmit të sistemit nervor.
Trupi i njeriut, ashtu si çdo qenie tjetër në natyrë, është i ndikuar nga energjia e Tokës. Kur ecim zbathur, kontakti i drejtpërdrejtë me sipërfaqen tokësore i lejon trupit të shkëmbejë elektrone - antioksidantë natyrorë që neutralizojnë radikalet e lira, duke reduktuar stresin oksidativ dhe duke përmirësuar funksionimin e përgjithshëm të trupit.

Sidoqoftë, shkencëtarët kanë zbuluar se ecja zbathur në tokë ndikon në trupin e njeriut në këto mënyra:
E zvogëlon inflamacionin dhe dhimbjen
Një studim i publikuar në revistën ‘Inflammation’, ka zbuluar se ecja zbathur mund t’i parandalojë inflamacionet kronike dhe sëmundjet autoimune.
E përmirëson qarkullimin e gjakut
Një tjetër studim nga Universiteti i Kalifornisë ka zbuluar se një orë e shpenzuar duke qëndruar zbathur mbi sipërfaqe tokësore promovon rritje të dukshme në rregullimin e qarkullimit të gjakut në kok dhe gjoks, gjë e cila ndikon në riparimin e indeve të lëkurës, në shëndet, vitalitet, fytyrë, etj.
Relaksim më i madh
Studimi i publikuar në ‘Psychology Reports: Mental and Physical Health”, ka zbuluar se duke qëndruar për një orë zbathur mbi sipërfaqe tokësore ju e zvogëloni stresin dhe e rritni nivelin e relaksimit.
E përmirëson gjumin
Pas eksperimenteve me vullnetarë, shkencëtarët kanë zbuluar se pas 8 javëve, ecja zbathur mund ta përmirësojë ritmin cirkadian (orën tonë biologjike). /Telegrafi/







































