Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.


Ish-kryeministri Isa Mustafa ka reaguar ndaj sjelljes së Qeverisë dhe ministrave në detyrë, të cilët, sipas tij, po veprojnë pa asnjë kontroll parlamentar dhe pa përgjegjësi institucionale.

Ai ka kritikuar përkrahjen që kjo qeveri po i jep Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ta imponuar tregun e lirë të energjisë, pavarësisht vendimeve të gjykatave dhe dëmeve serioze që po i shkaktohen sektorit privat.

“ZRrE nuk ka kompetencë të vendosë për tregun e lirë, siç po pretendon ministrja e Ekonomisë. Këto vendime duhet të bazohen në ligj dhe në vendimet e gjykatave, që mbrojnë të drejtat e bizneseve, punëtorëve të tyre, investimeve dhe qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe konkurrencës,” u shpreh Mustafa.

Sipas tij, Ligji parasheh kalimin në treg të lirë vetëm kur ekzistojnë kushte të favorshme për konkurrencë të ndershme dhe përfitime për sektorin privat – jo në dëm të tij.

“Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj një qasjeje shkatërruese".

"Shteti varet nga fuqia e ekonomisë. Çfarë mbetet nga shteti nëse ia rrënojmë edhe këtë ekonomi?”, përfundoi Mustafa.