LAJMI I FUNDIT:

Shkarkohet Jermey Clarkson, prezantuesi i famshëm i Top Gear

Shkarkohet Jermey Clarkson, prezantuesi i famshëm i Top Gear

BBC ia ka ndërprerë kontratën prezantuesit të famshëm të Top Gear, Jermey Clarkson. Në një njoftim, drejtori i përgjithshëm i televizionit britanik, Tony Hall, ka thënë se vendimi nuk ka qenë aspak i lehtë dhe se ky vendim do të ndajë opinionin publik në dysh.

“Clarksonit nuk do t’i vazhdohet kontrata për shkak të një sulmi fizik të paprovokuar. Një vijë e kuqe është kaluar dhe unë nuk mund të pajtohem me atë që ka ndodhur”, ka thënë Hall, transmeton koha.net.

Prezantuesi nuk ka dhënë asnjë koment gjatë ditës, por e ka ndryshuar biografinë e tij në Twitter ku ka shkruar “Isha dikur prezantues i shout Top Gear në BBC2”. Viktima e sulmit, producenti i emisionit Oisin Tymon ka lëshuar një deklaratë pas vendimit.


“Kam punuar me Top Gear për gati një dekadë dhe është një emision që e dua shumë. Gjatë kësaj kohe unë dhe Jeremy kemi pasur një marrëdhënie të suksesshme dhe pozitive, duke bërë projekte të jashtëzakonshme. Ai është një talent unik dhe unë jam i vetëdijshëm se shumëkujt do t’i vijë keq për mënyrën se si gjithçka po përfundon”, ka theksuar Tymon.

Ndër të parët që ka reaguar ka qenë kryeministri David Cameron. Ai ka thënë se duhet pasur parasysh se nëse bëni diçka keq në punë do të ketë pasoja dhe se sjellja agresive dhe abuzive nuk lejohet në vendin e punës.

Peticioni që kërkonte kthimin e Clarkson në punë e ka kaluar shifrën e një milion nënshkrimeve.

Ky ishte emisioni më popullor i BBC-së që shikohej nga 350 milionë njerëz në krejt botën. Emisioni kishte nisur në vitin 1977 si emision lokal i BBC Midlands dhe ka më shumë se 170 episode në formatin aktual që nisi në vitin 2002.

Bastoret në Angli kanë nisur të vejnë baste se kush do të vijë në krye të emisionit me emrat më të përmendur DJ Chris Evans, Dermot O’Leary, Johnny Vaughan, modelja Jodie Kidd apo edhe prezantuesi kontrovers, Piers Morgan.

Vet Clarkson pritet që të konkurrojë tash e tutje BBC-në me një emision të njëjtë, me gjasat më të mëdha për të kaluar te rivalët e përbetuar të ITV.