Sivas – Sivasspori i bëri pritje madhështore FC Prishtinës, në “Kupën e Republikës”. Presidentët e të dyja klubeve, Remzi Ejupi dhe Mecnun Otyakmaz u ndanë të kënaqur me atë që panë në fushë.

Edhe pse kjo eksperiencë katërditëshe e prishtinasve në Turqi përfundoi, të dy presidentët u zotuan se bashkëpunimi vetëm sa po përforcohet. Presidenti i FC Prishtina e ka falënderuar klubin turk për mikpritjen e ngrohtë.


“Loja ishte mjaft e mirë, sa më shumë ndeshje të tilla e ndihmojnë futbollin kosovar. Kjo është një eksperiencë më shumë për lojtarët tanë, në krahasim me lojërat që i zhvillon në vend. E shohin se si janë të organizuara klubet evropiane dhe se si luhet këtu”, u shpreh Ejupi për “Zërin”.

“Sa i përket mikpritjes, gjithçka ishte në rregull. Ne do ta shohim mundësinë për bashkëpunim edhe më të madh. Presim që të pranohemi në UEFA e FIFA dhe pse jo, të luajmë me Sivassporin në ndonjërën nga garat evropiane”, vazhdoi numri 1 i klubit prishtinas.

Otyakmaz: Vëllazërimi në mes nesh ishte me rëndësi

Presidenti i Sivasspoit, Mecnun Otyakmaz tha se klubi që ai e drejton dhe ai kosovar, po vëllazërohen dita-ditës edhe më shumë. “Vëllazëria në mes nesh ishte me rëndësi. Ne jemi vëllezër që me shekuj kemi jetuar së bashku. Kemi pasur ndarje, por me aktivitete të tilla në të ardhmen besoj se do të krijojmë përsëri lidhje në mes nesh. Ne kemi qenë vitin e kaluar në vizitë tek ju dhe e kemi parë mikpritjen tuaj, besoj se kësaj radhe, edhe neve e kemi bërë të njëjtën gjë”, tha ai për gazetën.

Krasniqi: Eksperiencë e paharrueshme për çunat

Trajneri Ramiz Krasniqi e vlerëson si eksperiencë të paharrueshme për futbollistët e FC Prishtinës, duelin ndaj Sivassporit. Ai i përgëzon lojtarët e tij për angazhimin në fushë. “Jam i kënaqur me prezantimin që e bënë futbollistët, për të cilët ishte një përvojë e re dhe eksperiencë e paharrueshme për ta. Çunave, bravo ju qoftë për një angazhim dhe disiplinë e pashoqe në fushë”, tha Krasniqi.

telegrafi sport app