Shefi i Pentagonit vjen me një paralajmërim tjetër të fuqishëm për Iranin – rreth armëve bërthamore

Sekretari amerikan i Mbrojtjes përsëriti qëndrimin të dielën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë për një zgjidhje diplomatike për të penguar Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore.
Por nëse kjo dështon, ka thënë ai, ushtria ishte e gatshme "të shkonte më tej”.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, diplomatët amerikanë dhe iranianë hapën bisedimet indirekte të shtunën në Oman në një përpjekje për të zgjidhur shqetësimet perëndimore rreth programit bërthamor të Iranit.
Dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth të dielën i përshkroi kontaktet e para, tentative në Oman si "produktive" dhe "një hap të mirë".
Ai tha se ndërsa presidenti Donald Trump shpresonte të mos përdorej kurrë te një opsion ushtarak, “ne kemi treguar një aftësi për të shkuar larg, për të shkuar thellë dhe për të ecur përpara”.
“Përsëri, ne nuk duam ta bëjmë këtë, por nëse duhet, do të parandalojmë bombën bërthamore në duart e Iranit”, citohet të ketë thënë ai.
Trump tha të mërkurën se veprimet ushtarake ishin “absolutisht” të mundshme – në bashkëpunim me Izraelin – nëse bisedimet në Oman dështonin.
Kjo pasoi një paralajmërim të hapur në fund të marsit se "nëse ata nuk bëjnë një marrëveshje, do të ketë bombardime".
Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje e mëparshme bërthamore shumëkombëshe me Iranin në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Analistët thonë se Irani tani mund të jetë vetëm disa javë larg prodhimit të një arme bërthamore të disponueshme – megjithëse Teherani mohon se po ndërton armë të tilla. /Telegrafi/



















































