Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi të enjten se forcat amerikane kanë kryer një sulm ajror “të fuqishëm dhe vdekjeprurës” ndaj militantëve të ISIS në veriperëndim të Nigerisë.

Ai deklaroi se sulmet u drejtuan ndaj “ISIS Terrorist Scum” që, sipas tij, kanë synuar dhe vrarë kryesisht civilë të pafajshëm, përfshirë shumë të krishterë në nivele që nuk janë parë për shumë vite ose edhe shekuj.


Sipas njoftimeve të komandës amerikane në Afrikë (AFRICOM), sulmet u kryen në shtetin Sokoto të Nigerisë, në koordinim me autoritetet nigeriane, dhe shumë militantë të ISIS u vranë, edhe pse nuk u dhanë detaje të mëtejshme për viktimat apo objektivat e goditura.

Trump i bëri këto sulme në natën e Krishtlindjeve dhe deklaroi se SHBA nuk do të lejojnë që terrorizmi islamik ekstremist të lulëzojë.

Lideri amerikan ka shkruar gjithashtu se SHBA-të kanë ndërmarrë këto veprime pas javësh paralajmërimesh për dhunën ndaj komuniteteve të krishtera në Nigeri.

Qeveria nigeriane konfirmoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe tha se kjo është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të adresuar kërkesën e sigurisë dhe ekstremizmin e dhunshëm në vend.

Autoritetet nigeriane theksuan gjithashtu se dhuna në vend prek të gjithë qytetarët, pavarësisht fesë, dhe se sulmet terroriste prekin komunitete të ndryshme. /Telegrafi/