Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Sllovakisë 12 helikopterë të rinj Bell AH-1Z Viper me një ‘zbritje’ pasi Bratislava dërgoi aeroplanët e saj luftarakë MiG-29 të ‘pensionuar’ në Ukrainë.
Ministri i Mbrojtjes, Jaroslav Nad, ka thënë se qeveria e tij ende duhej të miratonte marrëveshjen sipas së cilës do të paguante 340 milionë dollarë për tre deri në katër vjet për një paketë me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë, përcjell Telegrafi.
Pjesa e mbetur do të mbulohet nga programi i financimit të jashtëm ushtarak të SHBA-së, ka bërë të ditur më tej Nad.
Marrëveshja përfshin pjesë, stërvitje dhe më shumë se 500 raketa AGM-114 Hellfire II, tha ai.
“Kjo ofertë është jashtëzakonisht e dobishme dhe do të rrisë ndjeshëm potencialin mbrojtës të Sllovakisë”, ka vlerësuar Nad.
Sllovakia, një anëtare e NATO-s në krahun lindor të aleancës ushtarake, aktualisht nuk ka helikopterë luftarakë.
Ajo tërhoqi flotën e saj të aeroplanëve MiG verën e kaluar dhe është mbështetur në fqinjët e Evropës Qendrore, Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë për mbështetjen e mbrojtjes ajrore.
Ndryshe, javën e kaluar ajo u bë e dyta nga aleatët e Ukrainës, pas Polonisë, që siguron aeroplanë luftarakë, të cilët Kievi beson se janë vendimtarë për të zmbrapsur pushtimin e Rusisë.
Krahas ofertës së pajisjeve të SHBA-së, Sllovakia do të marrë 250 milionë euro (269 milionë dollarë) kompensim nga Bashkimi Evropian, ka bërë të ditur më tej Nad. /Telegrafi/