SHBA-ja nuk planifikon të kthejë paratë e tarifave

Të premten, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi se presidenti amerikan, Donald Trump, shkel ligjin federal duke vendosur një sërë tarifash tregtare në mbarë botën pa autorizim të qartë nga Kongresi amerikan.
Për shumë kompani në SHBA, një nga çështjet kyçe ka të ngjarë të jenë rimbursimet.
Këto priten sepse importuesit, të cilët gjatë vitit të kaluar kanë paguar tarifa ndërkohë që kjo politikë ka qenë në fuqi, me gjasë do të kërkojnë kthimin e parave nga Shërbimi Amerikan i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (US Customs and Border Protection).
Vlerësimi i ekonomistëve të Penn-Wharton Budget Model sugjeron se fatura për qeverinë amerikane mund të arrijë në shifrën e madhe prej 175 miliardë dollarësh.
Për më tepër, një nga gjyqtarët, Brett Kavanaugh, i cili sot ishte në pakicë, shkroi në vendimin e Gjykatës së Lartë se Shtetet e Bashkuara mund të detyrohen të kthejnë miliarda dollarë importuesve që kanë paguar tarifa sipas IEEPA-s, edhe pse disa prej tyre mund t’ua kenë kaluar tashmë kostot konsumatorëve ose palëve të tjera.
Siç është pranuar edhe gjatë seancës dëgjimore, procesi i rimbursimit ka gjasa të jetë “kaotik”.
I pyetur për këtë çështje, presidenti amerikan, Donald Trump tha se ekipi i tij nuk planifikon të kthejë paratë. “Mendoj se për këtë do të ketë procese gjyqësore gjatë dy viteve të ardhshme”, u shpreh ai.
“Ata shkruajnë këtë vendim të tmerrshëm, me të meta, plotësisht me të meta. Sikur të mos e kishin shkruar njerëz të zgjuar”, shtoi lideri amerikan.
Kur u pyet sërish nëse nuk planifikon të respektojë rimbursimet ndaj kompanive, Trump u tha gazetarëve “sapo jua dhashë përgjigjen, apo jo? Jua dhashë përgjigjen. Për këtë nuk është diskutuar. Në fund, do të jemi nëpër gjykata për pesë vitet e ardhshme”.
Ndryshe, Gjykata e Lartë njoftoi se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet lideri amerikan për të imponuar tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar vendosjen e tyre sipas përmasës dhe qëllimit që ata kishin.Gjykata e konsideroi këtë një shkelje të kufizimeve ligjore që ndahen midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas Kushtetutës së SHBA-së.
Si rezultat, shumica e tarifave të vendosura nën këtë ligj emergjent tani mund të shpallen të paligjshme, dhe kompanitë që paguan këto tarifa mund të kërkojnë rimbursime për shumën e paguar gjatë periudhës që ato ishin në fuqi. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com





















































