LAJMI I FUNDIT:

Sfidat e pushtetit lokal

Gjendja aktuale: Republika e Kosovës ka një histori të re institucionale dhe të qeverisjes bashkëkohore. Ndërsa, vetëqeverisja lokale dhe zhvillimet bashkëkohore përkitazi me të lidhen me trendë të përmirësimit të qeverisjes demokratike në përgjithësi dhe veçanërisht me trendë që reflektojnë nevojën për zvogëlimin e deficitit demokratik, përmirësimin e marrëdhënies mes shpenzimeve dhe përfitimeve, rritjen e efikasitetit dhe zgjerimit te gamës së shërbimeve për qytetarë, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në qeverisje. Pra, thënë shkurt, sado që për Kosovën komuna dhe institucionet komunale janë koncepte funksionale në zhvillim dhe përmirësim e sipër, globalisht ato janë një domosdoshmëri dhe në funksion të përmirësimit të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve. Në funksion të këtij qëllimi, institucionet e vetëqeverisjes lokale në botën perëndimore përkrahen pa kusht dhe vazhdimisht nga ana e nivelit qendror si dhe nga agjencitë tjera shtetërore.

Ndryshe, në rrethanat aktuale në të cilat gjendet Kosova, dhe duke pasur në konsideratë komplikimet në lidhje me aranzhmanet dhe vendosjen e themeleve të vetëqeverisje lokale, shpesh të përcjella me mungesë qartësie dhe vizioni, ne në Kosovë aktualisht hasim një vetëqeverisje lokale e cila mund të lavdërohet për përqafimin kushtetues të dokumenteve më bashkëkohore, të cilat parashohin parimet dhe formën e rregullimit te vetëqeverisjes lokale, por në realitet zbatimi dhe respektimi I tyre i përditshëm është larg nivelit të kënaqshëm.


Tranzicioni: Vetëqeverisja lokale në Kosovë ka kaluar nëpër një tranzicion sfidues politik, administrativ, teknik dhe operacional. Kundrejt këtij sfondi, është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se sa i përket pushtetit lokal, institucionet qendrore të Kosovës dhe institucionet tjera nuk e kanë zgjidhur dhe adresuar çështjen e kontrolleve dhe balancave të pushteteve në nivel të qeverisjes lokale.

Në qershor 2008 Kosova ka miratuar Kushtetutën e saj e cila përfshinë dispozita që rregullojnë vetëqeverisjen lokale sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Presidentit Ahtisaari. Lidhur me vetëqeverisjen lokale, "Propozimi" ka parashikuar kompetenca të zgjeruara për komunat në shumë fusha, duke përfshirë arsimin fillor dhe të mesëm, kujdesin primar dhe sekondar shëndetësor, zhvillimin ekonomik, planifikimin urban dhe rural, strehimin, emërtimin e rrugëve. Në mënyrë që të ushtrohen kompetencat në këto fusha dhe për të arritur objektivat që lidhen me to, Propozimi ka parashikuar kompetenca të gjera ligjvënëse, financiare dhe administrative të komunave.

Por, është shqetësuese që në nivelin e pushtetit lokal komunat nuk e kanë gjetur ende mbështetjen e vërtetë dhe partneritetin nga institucionet qendrore, si dhe institucionet tjera. Për më tepër, zhvillimet politike dhe qeveritare në nivel komunal janë shpesh të ndikuara nga zhvillimet në nivelet e tjera të qeverisjes, të cilat sistematikisht rrezikojnë autonominë dhe forcimin e pushtetit lokal. Kështu, për vite me radhë ne kemi qenë dëshmitarë se marrëdhëniet ndërmjet kuvendeve komunale dhe kryetarëve nuk pasqyrojnë mjaftueshëm dhe si duhet nevojën për qeverisje më të mirë, efikase dhe demokratike. Në mënyrë të veçantë, për një periudhë të caktuar kemi qenë dëshmitar të një gjendje ku institucioni i kuvendit komunal ka dominuar vendimmarrjen, politikat dhe nivelin e vet-qeverisjes lokale.

Aktualisht është kryetari i Komunës që autorizon dhe mbikëqyrë ekzekutimin e vendimeve të marra nga ana e Komunës dhe administrimin financiar të Komunës. Kryetari i Komunës, ndër të tjera është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve dhe akteve të miratuara nga kuvendi komunal dhe për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e komunës në mënyrë të duhur. Ai ose ajo ka autoritetin për të përfaqësuar komunën dhe vepron në emër të saj. Shtrirja e përgjegjësive të kryetarit gjithashtu përfshin të drejtën për të nxjerrë udhëzime dhe në të njëjtën kohë të marrë vendime.

Rruga përpara: Duhet përmendur që Ligji për Vetëqeverisjen Lokale përgjithësisht parasheh një sistem të kontrollit reciprok mes legjislativit (Kuvendit Komunal) dhe ekzekutivit (kryetarit të zgjedhur të Komunës). Por, Statutet komunale, si dhe aktet tjera rregullative ligjore, duhet të përmbajnë më shumë detaje mbi dispozitat që do të përcaktonin qartësisht rolin dhe fuqinë ligjore si dhe të definojë saktë rolin e kryetarit të Komunës në mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së administratës komunale. Në këtë drejtim, shfaqen dy sfida serioze për këto dy institucione: kuvendin komunal dhe kryetarin.

Së pari, qeverisja në përgjithësi, duke përfshirë edhe pushtetin lokal, është formësuar në një kontekst të ri të kulturës politike dhe institucionale të shtetit të “porsalindur” dhe për rrjedhojë, praktika e mbajtjes së zyrtarëve qeveritarë në llogaridhënie reciproke është diçka e re. Është e njohur gjerësisht se zhvillimi i një demokracie të konsoliduar kërkon shumë kohë dhe përpjekje për të arritur standardet, ku pushteti dhe përfaqësuesit e tij (politikanët, zyrtarët, shërbyesit civilë, etj) janë të mbikëqyrur, të kufizuar, të disiplinuar dhe nëse është e nevojshme, sanksionuar, gjegjësisht të penalizuar. Kjo kulturë politike, si dhe praktikat që i nënkupton ky koncept, po synohen në Kosovë, por jo në ritmin e dëshiruar.

Së dyti, një tjetër sfidë është mungesa profesionale, veçanërisht ato menaxheriale dhe administrative, dhe si rezultat i kësaj, përfaqësues të caktuar në Kuvend komunal dhe veçanërisht kryetari i Komunës, duke synuar të kapërcejnë këtë boshllëk (dobësi) po akumulojnë pushtet që çon në dominim. Si pasojë, ne shohim se ka një "nënshtrim" të institucioneve dhe shkelje të vullnetit të elektoratit dhe qytetarëve, atij vullneti të reflektuar nga zgjedhjet për këshilltar komunal. Aktualisht po shohim se institucioni i kryetarit të Komunës vazhdimisht është duke akumuluar kompetenca në dem të rolit dhe fuqisë së kuvendit komunal dhe pjesëmarrësit e tjerë të shoqërisë civile dhe mediat. Kjo po e vendos kuvendin komunal dhe shoqërinë civile në pozicion inferioriteti, që hera-herës shkon deri në nënshtrim. Ndërsa, në realitet, roli i kuvendit komunal është mbikëqyrja, kontrollit, korrigjimi, pse jo edhe përkrahja kur është e dobishme e rolit të kryetarit në zbatim të obligimeve institucionale.

Ekziston një shpjegim përkitazi me këtë çështje: Mungesa e linjave të ndara buxhetore për kuvendin komunal, shoqërinë civile dhe media lokale i bënë këta akterë të varur nga përkrahja e kryetarit. Kjo përkeqësohet edhe me faktin se në shumicën e komunave ka një mungesë të resurseve, hapësirës së zyrës për kryetarët e kuvendeve komunale dhe grupet e Kuvendit, ku ata mund të kryejnë përgjegjësitë e tyre dhe detyrat e dhëna atyre nga njerëzit.

Duhet përmendur se roli i planifikimit strategjik në nivel vendi është kryesisht një ushtrim që përshkruan situatën se sa të ofrojnë zgjidhje apo vizion zhvillimor. Në mungesë të vizionit të tillë, qeveria lokale është e pozicionuar në kufijtë e ligjit, për të qenë më të saktë, ata duhet "të shkojnë përtej strukturës", sepse ligji ofron hapësirë rregullative për gjetjen e zgjidhjeve dhe identifikimin e mundësive, dhe jo siç po ndodh shpesh që ligji, dhe mungesa e ligjit, të interpretohet si pengesë apo kufizim. Kjo do të thotë se përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale duhet të shkojnë përtej detyrave funksionale, rutinore, administrative dhe të jenë më proaktiv në krijimin dhe zbatimin e një plani të fortë të zhvillimit që mund të përmirësojë jetën e qytetarëve të tyre.

Efektiviteti është i lidhur me vlerësimin e politikave që janë zbatuar dhe suksesin e zbatimit të tyre nga administrata. Kjo do të thotë se demokracia dhe qeveria lokale nuk është vetëm ajo që është shkruar në Kushtetutë dhe ligje, por ajo duhet të shkojë më tej dhe përtej kornizave administrative. Thënë ndryshe, ligji mundëson veprime të cilat duhet të konkretizoheshin me qeverisje të mirë dhe efikase. Në realitet, një ndërmarrje e tillë kërkon punë dhe angazhim të shumëfishtë dhe jo vetëm zhvillim të strategjive që duken të mira në fushata të marrëdhënieve publike. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është që të mbahet parimi i subsidiaritetit dhe llogaridhënia lokale për mobilizimin e resurseve lokale, përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në proceset vendim marrëse partneritet, dhe bashkë-sigurimin e shërbimeve.

Gjithashtu, duhet të kuptohet se rritja e rolit të pushtetit vendor ka ndryshuar konceptin e zhvillimit i cili tani kërkon shumë më tepër angazhim dhe ekspertizë. Është shumë me rëndësi që zhvillimi ekonomik lokal, çështjet që ndërlidhen me llogaridhënien dhe qeverisjen transparente të kthehen në qendër të diskursit publik dhe në prioritet të reformave të pushtetit lokal.

Duhet përmendur që transparenca dhe llogaridhënia janë dy parime themelore për funksionimin më të mirëfilltë të komunës në një mënyrë demokratike dhe të përgjegjshme dhe për të mirën e qytetarëve të saj. Niveli i komunikimit me qytetarët, marrëdhëniet publike dhe nivelin e cilësisë së takimeve me qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile. Në fakt, kjo mbulon qeverisjen nëpërmjet informacionit, konsultimit, pjesëmarrjes së qytetarëve dhe akterëve të tjerë në nivel lokal dhe më të gjerë. Në këtë drejtim, transparenca dhe llogaridhënia ndikon në konsolidimin demokratik në nivel lokal, por edhe forcon lidhjen në mes të të zgjedhurve/strukturave qeverisëse dhe përbërësve/qytetarëve.

Një qeveri demokratike parasheh praktikat dhe proceset që sigurojnë se strukturat e qeverisë nuk janë të shkëputura nga pritjet dhe shqetësimet dhe pritjet e qytetarëve. Në këtë kontekst, komunat në Kosovë, dhe veçanërisht kryetari dhe këshilltarët komunalë nuk janë të angazhuar sa dhe si duhet në mundësimin e transparencës, ofrimin e llogaridhënies së vazhdueshme kundrejt publikut, qytetarëve, dhe veçanërisht në respektim dhe plotësim të obligimeve që dalin nga legjislacioni në fuqi.

Këto dhe aspekte tjera të lartëcekura do të duhej të shërbenin si motiv dhe shtysë për reformim të mirëfilltë të vetëqeverisjes lokale. Por, reforma e mirëfilltë nuk ndodh dhe nuk mund të prodhojë efektet e kërkuara në rast se kjo nuk është në funksion të arritjes së qëllimeve që lidhen me konsolidim demokratik lokal, me ofrim efikas të shërbimeve, me pjesëmarrje aktive qytetare në jetën publike dhe institucionale, dhe sidomos, kjo nuk është e arritshme pa një partneritet dhe bashkëpunim ndërinstitucional në ndërhyrje të përmirësimit dhe korrigjimit të vetëqeverisjes lokale aty ku ka nevojë dhe në përputhje me pritjet e qytetareve konform trendëve bashkëkohore të qeverisjes.

Në trend

Më shumë
Dy lojtarë 'refuzuan' të ekzekutonin penalltinë në ndeshjen Man City-Real Madrid

Dy lojtarë 'refuzuan' të ekzekutonin penalltinë në ndeshjen Man City-Real Madrid

Liga e Kampionëve
Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Lajme
Arrestime të artistëve shqiptarë në Zvicër? Policia kantonale e Cyrihut konfirmon se ka pasur bastisje në klube nate, por nuk specifikon emra

Arrestime të artistëve shqiptarë në Zvicër? Policia kantonale e Cyrihut konfirmon se ka pasur bastisje në klube nate, por nuk specifikon emra

Butrint Avdyli
Ndryshojnë në mënyrë drastike shanset, superkompjuteri vjen me parashikim të ri për Ligën e Kampionëve

Ndryshojnë në mënyrë drastike shanset, superkompjuteri vjen me parashikim të ri për Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Eurodeputeti holandez: Provokime fëmijërore dhe të rrezikshme nga Serbia – zv.drejtori i policisë të lirohet menjëherë

Eurodeputeti holandez: Provokime fëmijërore dhe të rrezikshme nga Serbia – zv.drejtori i policisë të lirohet menjëherë

Lajme
Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

La Liga
Kalo në kategori