Serbia, vendi ku krimineli i luftës është qytetar i merituar!

Nga: Dragan Bursać / plenum.ba
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
E shkruaj këtë si një - le të them - kolumne që nuk dëshiron të jetë “e ekuilibruar”. Qëllimi i saj është të trajtojë emrin dhe veprën e kriminelit Nebojsha Pavkoviq, ashtu siç e ka parë shumica e viktimave: pa zbukurime.
Sot, krimineli i luftës Nebojsha Pavkoviq do të varroset në Alenë e Qytetarëve të Merituar në Beograd.
Tingëllon si humor i zi, si ndonjë skenë bizare nga një film surreal, si një barsoletë në të cilën të gjithë tashmë janë të vdekur, vetëm se askujt nuk i ka shkuar ndër mend të fikë dritën.
Por, nuk është shaka. Kjo është Serbia e vitit 2025. Një shtet ku një kriminel lufte është qytetar i merituar.
Një shtet ku muralet e Ratko Mlladiqit mbijnë si ikona.
Një shtet ku Vojisllav Shesheli është profesor i patologjisë kombëtare në transmetim të drejtpërdrejtë në televizionin Happy.
Një shtet ku Novak Gjukiqi, vrasësi i rinisë së Tuzllës, është njeri i lirë.
Një shtet ku Vlladimir Llazareviqi, i dënuar për krime lufte, mban ligjërata, ndërsa të rinjtë e quajnë “xhaxhi Vllado”.
Dhe, një shtet ku, në fund të fundit, Pavkoviqi, komandanti i ligësisë, shkon në vdekje me të gjitha nderimet shtetërore, me kurora me lule dhe lot krokodili të Vuçiqit.
Në atë shtet, që kurrë nuk është parë në pasqyrë, Pavkoviqi është simbol.
Jo i krimit - por, i mohimit.
Jo i turpit - por, i politikës shtetërore.
Jo i pendesës - por, i vazhdimësisë.
Pavkoviqi - gjak dhe plaçkë
Le të kujtojmë - edhe pse fjala “kujtojmë” në Serbi nuk ka asnjë kuptim, sepse atje kujtesa trajtohet si tradhti.
Pra, Pavkoviqi u dënua në vitin 2009 me 22 vjet burg nga Gjykata e Hagës - për deportime, zhvendosje të detyrueshme, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë në Kosovë në vitin 1999.
Ai ishte një nga shtyllat e makinerisë ushtarake të Millosheviqit.
Përkrah tij ishin Dragoljub Ojdaniqi, Vlladimir Llazareviqi, Nikolla Shainoviqi, Sreten Llukiqi - të gjithë ata që komanduan “mbrojtjen e atdheut”, por në të vërtetë planifikuan vrasje masive, kampe dhe dëbime të joserbëve.
Ata janë oficerët e vdekjes. Njerëz, vendimet e të cilëve fshinë fshatra, familje, breza të tërë.
Njerëz, komandat e të cilëve i shndërronin njerëzit e gjallë në statistikë vdekjeje, dhe këtë statistikë në kapital politik.
Pavkoviqi jo vetëm që komandoi luftën - ai komandoi fshirjen e së vërtetës.
Ai ishte drejtpërdrejt përgjegjës për deportime masive, vrasje dhe fshehje të trupave të shqiptarëve të vrarë, në frigoriferë, që më pas përfunduan në Batajnicë, në periferi të Beogradit.
Paramendojeni këtë monstruozitet: vret një fëmijë, ia fut trupin në kamion, pastaj e çon atë fëmijë përgjatë autostradës së “bashkim-vëllazërimit” për ta varrosur pas poligonit ushtarak në kryeqytet.
Ky nuk është vetëm krim. Ky është projekt shtetëror i ligësisë.
Historia e shkurtër e Genc Berishës
Kujtojeni familjen e vrarë Berisha.
Kujtojini fëmijët e vrarë.
Genc Berisha ishte katër vjeç.
Vëllai i tij, Graniti - dy vjeç.
Nëna e tyre, Lirija, ishte shtatzënë.
Genci mbante në dorë disa kapitasha [klikera!]. Graniti kishte një biberon në gojë.
Dhe, pastaj, më 26 mars 1999, në fshatin [sic.] Suharekë të Kosovës erdhën njësitë e Pavkoviqit.
Ata qëlluan mbi gjithçka që lëvizte.
Qëlluan mbi shtëpitë, mbi njerëzit, mbi fëmijët.
U vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 18 fëmijë.
Edhe Genci. Edhe Graniti. Edhe Lirija me fëmijën e palindur.
Qëlluan derisa nuk mbeti më asnjë zë.
Shpëtuan vetëm dy gra, Shyhretja dhe Vjollca, të cilat u shtirën si të vdekura duke qëndruar shtrirë mes kufomave të familjes së tyre.
Dëshmia e tyre më pas u bë pjesë e dosjes së Hagës.
Por, aty nuk përfundon historia.
Sepse në Serbinë e Pavkoviqit as të vdekurit nuk gjejnë qetësi.
Trupat e fëmijëve dhe grave të vrara u futën më pas në frigoriferë, u transportuan përtej kufirit dhe u varrosën në Serbi - në Batajnicë.
Pra, as në vdekje Pavkoviqi nuk lejoi që viktimat të ishin viktima.
Ai donte të ishin - të zhdukur.
Kur në vitin 2001 u hapën varrezat masive, u gjetën objekte të vogla: dy biberonë, një krehër fëmijësh, lapsa me ngjyra, një prerëse thonjsh.
Ato ishin gjurmët e një familjeje, një fëmijërie, një dashurie që ushtarët e Pavkoviqit kishin kthyer në hi.
Dhe, ai - i njëjti Pavkoviq - në burg në Finlandë, me laptop, u mbante ligjërata “të rinjve serbë mbi patriotizmin”.
Profesori i vdekjes
Në vitin 2023, Pavkoviqi u shfaq në një ligjëratë me video në shkollën fillore “Gjura Jakshiq” në Kaç, pranë Novi Sadit.
Ai nuk ligjëroi për historinë e krimeve. Nuk foli për krimet për të cilat ishte dënuar.
Jo, tema ishte: “Rrëfime heronjsh”.
Ai, krimineli i luftës, iu drejtohej fëmijëve.
Si profesor.
Si autoritet.
Si model për moralin.
Paramendojeni këtë: fëmijët rrinë ulur në klasë dhe në ekran buzëqesh një i dënuar që ka komanduar deportimin dhe vrasjen e civilëve.
Dhe, shteti nuk e sheh këtë si turp, por si një “orë patriotizmi”.
Kjo është Serbia sot: një shtet i cili nga krimi krijon një lëndë mësimore.
Heroi i Rrugës së Uzhicës
Por, Pavkoviqi nuk është vetëm xhelat - ai është edhe hajn rruge, përfitues lufte.
Pronar i një vile në Rrugën e Uzhicës, i apartamenteve në Vraçar dhe kush e di sa pasurive të tjera të fshehura.
Të gjitha të blera me gjak dhe heshtje.
Ky është ai “hero” të cilit Vuçiqi i ka uruar “jetë të gjatë dhe shëndet të mirë”, siç tha disa vite më parë.
Populli hesht.
Edhe opozita hesht.
Sepse “nuk është e hijshme të flasësh për të vdekurit”.
Respekt, thonë.
Respekt ndaj kujt?
Ndaj krimit?
Qytetari i merituar i ligësisë
Në Alenë e Qytetarëve të Merituar në Beograd prehen njerëzit që kanë dhënë diçka për shoqërinë.
E, tani, mes tyre, do të prehet një njeri që ka fishkur dhe gjymtuar atë shoqëri.
Një njeri merita e të cilit është - vdekja.
Një njeri, “heroizmi” i të cilit matet me tonelatat e frigoriferëve dhe me kubikët e dheut nën të cilin janë mbuluar fëmijët e vrarë.
Dhe, tani, pra, e varrosin me nderime shtetërore.
Po, e njëjta ushtri që digjte në Gjakovë, Pejë, Suharekë - tani gjuan në ajër me të shtëna nderi për “heroin” e saj.
Ky nuk është varrim. Është ritual shtetëror mohimi.
Dhe, gjithçka ka logjikë, fatkeqësisht.
Në një vend ku Mlladiqi është në murale, dhe Shesheli mysafir në emisionet kryesore televizive, Pavkoviqi është veç vazhdimi logjik i erozionit moral dhe narcizmit.
Sepse, Serbia sot nuk jeton në një kohë të pasluftës - ajo jeton në një kohë të pasvërtetës.
Në një vend ku e vërteta nuk ka më as peshë dhe as kuptim, Pavkoviqi - natyrisht - është qytetar i merituar, edhe pse i vdekur.
Genc Berisha e di
Dhe, teksa arkivoli i Pavkoviqit lëshohet në dhé, teksa ministrat bëjnë kryqin dhe gjeneralët japin nderimet solemne, le të ushtojë diku në heshtje një emër:
Genc Berisha i vrarë.
Një fëmijë katër vjeç.
Me kapitasha në dorë.
Biberoni në tokë.
Dhe, nëna e vdekur që nuk do ta përqafojë më kurrë.
Ai fëmijë është biografia e Pavkoviqit.
Jo grada e gjeneralit, jo medaljet, jo akademia ushtarake.
Genc Berisha dhe të afërmit e tij të vrarë - ato janë diplomat e Pavkoviqit, ato janë dekoratat e tij.
Dhe, prandaj, le ta varrosë Serbia Pavkoviqin në Alenë e Qytetarëve të Merituar, nëse kështu dëshiron.
Por, le ta dijë: çdo grimcë e atij dheu nën të cilin ai prehet - kutërbon nga padrejtësia dhe ligësia.
Dhe, le ta dijë se asnjë rrugicë, as në Beograd, as në Paris, as në Jerusalem, nuk mund ta lajë gjakun nga emri i njeriut që ka komanduar kolonën e vdekjes.
Sepse, Genc Berisha e di.
Dhe, sytë e tij - nëse ndokush ende ka forcë t’i imagjinojë - shikojnë drejt te të gjithë ne.
Pa urrejtje, pa akuza, vetëm me një heshtje që çan edhe qiellin edhe tokën:
“Pse është vrasësi im qytetar i merituar?” /Telegrafi/
Lexo po ashtu nga Dragan Bursać: Shqiponjat serbe kanë vrima si djathi zviceran


















































