Senatori i Missourit, Josh Hawley, ka marrë vëmendjen e shumë njerëzve gjatë një seance dëgjimore në Kongres të martën, pasi i ka bërë disa pyetje drejtorit ekzekutiv të Netflix-it, Ted Sarandos, dhe rreth asaj që sipas tij, përmbajtja e shërbimit të transmetimit promovon "ideologjinë transgjinore".

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pasi bëri një sërë pyetjesh në lidhje me praktikat e punës në Netflix, Hawley ndryshoi papritur drejtim dhe e pyeti drejtorin ekzekutiv në lidhje me përmbajtjen e shfaqjeve për fëmijë në platformë.


“Pse kaq shumë përmbajtje e Netflix për fëmijë promovon një ideologji transgjinore?”, pyeti fillimisht Hawley.

Sipas tij, “pothuajse gjysma e përmbajtjes suaj për fëmijë - po flas për fëmijë të mitur tani, nuk po flas për adoleshentë, fëmijë të mitur - promovon një axhendë ideologjike transgjinore”.

Megjithatë, siç theksojnë mediat, edhe pse Hawley vazhdoi duke thënë se ai "thjesht po shqyrtonte të dhënat", ai nuk përmendi një burim për shifrat e tij.

- YouTube www.youtube.com

“Në Netflix, do të zbuloni se një sasi e madhe, dhe e them këtë si prind me tre fëmijë të vegjël, një sasi e madhe e programeve të fëmijëve tuaj kanë këtë ideologji dhe axhendë”, ka thënë Hawley. “A është ky një pozicion avokimi për Netflix? A është ky një angazhim ideologjik që keni?”.

“Netflix nuk ka asnjë axhendë politike”, u përgjigj Ted Sarandos, vetëm për t’u kritikuar përsëri nga Hawley, i cili vazhdoi të pyeste pse biblioteka e fëmijëve e Netflix ishte “plot me përmbajtje shumë të seksualizuar dhe shumë të diskutueshme”.

"Nuk paraqisni personazhe transgjinorë, histori transgjinore, tema transgjinore?", ka vazhduar me një tjetër pyetje senatori Hawley.

Hawley më pas vazhdoi të përsëriste pretendimin e tij se “gjysma” e bibliotekës së fëmijëve të Netflix përmbante shfaqje “shumë të diskutueshme” dhe “shumë të seksualizuara”.

“Senator, nuk kam asnjë ide se nga vjen ky numër”, u përgjigj Sarandos. “Nuk besoj se kjo ka qenë përvoja juaj personale”.

I ofenduar, Hawley vazhdoi duke thënë se nuk i lejon fëmijët e tij të shikojnë asgjë në Netflix nëse nuk e sheh më parë përmbajtjen.

“Nuk kam besim në atë që është në platformën tuaj”, tha më tej Hawley. /Telegrafi/