Sëmundja degjenerative e disqeve është një nga shkaqet më të shpeshta të dhimbjes së shpinës.
Dr. Nexhmedin Duriqi
Ortoped spinal
tel. +38344 233485
email: dr.duriqi@gmail.com, nex68@yahoo.com
Sëmundja degjenerative e diskut flet për një gjendje në të cilën dhimbja shkaktohet nga një disk i dëmtuar. Zakonisht DDD (degenerative disc disease), fillon nga një dhimbje e nivelit të ulët me episode të përhershme të dhimbjes kah dhimbja më e rëndë. Zakonisht, më së shumti atakon unazat e qafës dhe ato lumbale
Çka janë disqet?
Disqet janë si amortizues në mes të unazave të shtyllës kurrizore dhe janë të dizajnuara për të ndihmuar që trupi i njeriut të qëndrojë më fleksibël duke rezistuar forcat e shumta në shumë plane të ndryshme lëvizjeje.
Çdo disk ka dy pjesë:
Një shtresë e fortë, e jashtme, anulus fibrosus. Pjesa e jashtme e kësaj shtrese përmban nerva. Nëse kemi dëmtim të kësaj pjese të diskut, ajo mund të bëhet mjaft e dhimbshme.
Një bërthamë të butë, Nucleus pulposus. Kjo pjesë e diskut përmban proteina që mund të shkaktojnë indet që prekin të bëhen të fryrë dhe të butë. Nëse këto proteina rrjedhin nga nervat e shtresës së jashtme të diskut, ato mund të shkaktojnë shumë dhimbje.
Ndryshe nga indet e tjera të trupit, disku, ka furnizim shumë të ulët të gjakut. Sapo një disk të dëmtohet për shkaqe të ndryshme, nuk mund të riparojë vetveten dhe në atë mënyrë fillon degjenerimi i diskut në formë spiraleje, që do të kalojë në tre faza, të cilat duket se ndodhin gjatë, 20 deri në 30 vjet.
Si vjen deri te dëmtimi i diskut
Me kalimin e kohës, fillojnë edhe ndryshimet në përbërjen e diskut, pastaj pas dëmtimit të shtyllës kurrizore, këto ndryshime bëhen më të shpejta dhe qojnë kah ndryshimet në disk, e deri tek harxhimi i tij.
Si pasojë e kësaj, vjen deri te ngushtimi i hapësirës mes dy unazave (stenoza) si dhe paraqitja e osteofiteve, që qon në degjenerim të unazave.
Mund të atakojë edhe moshat e reja (sportet të cilat shkaktojnë lëvizje të pakontrolluar të shtyllës kurrizore, në kohë më të gjatë) të mesme (qëndrimet kronike në pozitë jokorrekte dhe të detyruar të uljes si dhe moshat e pleqërisë për shkak të harxhimit të vet diskut.
Dihet se faktori gjenetik dhe pirja e duhanit përshpejtojnë degjenerimin apo harxhimin e diskut, por edhe me kalimin e kohës (koha e pleqërisë), vjen deri te ndryshimet degjenerative andaj quhet edhe proces normal i plakjes.
Çfarë ndodhë tek ndryshimi degjenerativ i diskut?
Së pari, nga bërthama fillon të humbet uji e pastaj disku fillon dhe bëhet më i fortë. Kështu, e humbë aftësinë e absorbimit të ngarkesës (forcës), pastaj mbështjellësi fibrozë rreth diskut e humb aftësinë e elasticitetit, anulusi dobësohet dhe, si pasojë e kësaj, vjen deri te kërcitja e tij dhe rrjedhja e përmbajtjes xhelatinoze nga bërthama e diskut jashtë. Kështu, së pari fillon si diskus herni, e me pastaj vjen duke përfunduar në pasojat e diskut të degjeneruar.
Pasi një disk të humbë përafërsisht 80% të lëngut (ujit) të tij, atëherë ai quhet i degjeneruar. E tërë kjo mund të shkaktojë radikulpati, stenozë apo ngushtim të kanalit spinal dhe artrozë të hapësirës mes unazave, e cila mund të jetë e përcjellur edhe me humbje të masës kockore minerale dhe dhënie të deformimeve të shtyllës kurrizore si pasojë e këtyre ndryshimeve. E gjithë kjo, mund të shpie edhe në dhembje të shtyllës kurrizore.
Dhembja te DDD
Dhembja e diskut të degjeneruar është ajo që pacientin e detyron të kërkojë ndihmë mjekësore. Dhembja zakonisht është e karakterit mekanik dhe atë si pasojë e shtypjes së rrënjëve nervore ose palcës kurrizore. Dhembja në fillim është e intensitetit të ulët dhe më e shprehur gjatë uljes apo qëndrimit të detyruar në një pozitë dhe përkeqësohet gjatë aktivitetit të shtuar, por që zvogëlohet gjatë pushimit.
Dhembja mund të jetë e lokalizuar në qafë, që përcillet edhe kah krahët dhe koka, por mund të jetë edhe në mes-bel, e cila përcillet edhe kah kërdhokullat, vithet dhe kah kofshët.
Këto dhimbje zakonisht janë të karakterit përsëritës me përmirësime dhe përkeqësime. Dhimbja akute e bën të vështirë lëvizjen normale të shpinës. Në disa raste, sëmundja degjeneruese e diskut gjithashtu shkakton dobësi, mpirje dhe ndjenje të të nxehtit, dhimbje në krahë ose këmbë (dhimbje radikale)
Si të veprojmë?
Në fillim të trajtimit duhet të largojmë dhimbjen (përdorimi i akullit nganjëherë, të nxehtit dhe stimulimi elektrik i muskujve).Kur dhembja është më e theksuar, rekomandohet pushimi strikt më së paku 2 ditë si dhe marrja e barnave për zvogëlim të dhembjeve, siç janë acitomenaphoni, antireumatoidet non steroid, e në disa raste te dhembjet më të theksuara, edhe kortiosteroidet në doza të kontrolluara.
Pas qetësimit të dhembjeve preferohet ushtrime fizikale me kiropraktikë për lirim te muskulaturës, përforcim të muskujve të përparmë dhe të pasmë të qafës, muskujve të pasmë të shpinës dhe të abdomenit si dhe rritja e stabilitetit të shtyllës kurrizore.
Zakonisht terapia konservative është mjaft komplekse dhe mund të zgjatë 8 deri 12 javë, ndërsa përmirësimi gati i plotë, mund të zgjasë deri 6 muaj.
Në rast të mossuksesit me terapi konservative, indikohet edhe tretmani operativ, i cili edhe në ditët e sotme është shumë diskutabil dhe atë, më së shumti në rastet e dobësimit të muskulaturës së segmentit të caktuar.
Në rastet kur si pasojë e DDD shkaktohet komprimim i rrënjëve nervore si pasojë e stenozes, preferohet vetëm dekomprimimi i rrënjës së nervit të shtypur në raste të posaçme edhe stabilizimi i unazave me vida, pastaj sot aplikohen edhe disqet artificiale (disc replacement cage) si në unazat e qafës, kraharorit, ashtu edhe në ato të mesit.
Gjithashtu, duhet cekur se edhe pas intervenimit kirurgjik, duhet përsëri të fillohet dhe të vazhdohet terapia fizikale e duhur. /Telegrafi/