Sekuestrohet pasuri me vlerë mbi 800 mijë euro e të burgosurit për vrasje në Tiranë

Sekuestrohet pasuri me vlerë 875 mijë euro në pronësi të një 32-vjeçari që aktualisht po vuan dënimin, për vrasje me paramendim dhe pjesëmarrje në grup kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas një postimi të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se janë sekuestruar 5 pasuri në pronësi të shtetasit P.P 32 vjeçar.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan në kuadër të operacionit ‘Asset lock’, vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e 5 pasurive në pronësi të shtetasit P. P., 32 vjeç, i cili aktualisht po vuan dënimin, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’ kryer në kuadër të grupit të struktuar kriminal”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se pasuritë e sekuestruara, konkretisht: 2 garazhe, 1 apartament, 1 sipërfaqe truall dhe 1 subjekt tregtar ishin të regjistruara në emër të 32-vjeçarit ose të familjarëve të tij.
“Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim veprimtartë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/




















































