LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu në Stamboll fton afaristët për investime në Kosovë

Stamboll, 6 maj 2009

I nderuar dr. Akan Suver, drejtor i Fondacionit Marmara

Të nderuar presidentë dhe ish-presidentë,


Të nderuar ministra dhe burrështetas të tjerë,

Pjesëmarrës në këtë forum të respektuar,

Ju përshëndes në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Shfrytëzoj rastin që edhe një herë të shpreh kënaqësi të veçantë për praninë time këtu dhe të falënderoj Qeverinë dhe popullin e Turqisë për përkrahjen që i kanë dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës iu bashkua kombeve të lira të globit më 17 shkurt 2008. Ishte një vendim historik pas shumë pune, flijimi dhe përkushtimi të brezave të tërë. Kjo datë mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë dhe hapi një kapitull të ri të zhvillimeve të gjithëmbarshme për Kosovën. Procesi i gjatë dhe i vështirë i pavarësisë së Kosovës pasoi nga njohjet ndërkombëtare të shteteve më të fuqishme të botës, që tani ka arritur në 58 vende nga të gjitha anët e globit. Kështu, ka më shumë se një vit që institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës morën përgjegjësitë dhe detyrimet sikur të gjithë popujt dhe shtetet e botës së lirë dhe demokratike.

Situata specifike e krijuar në Kosovë deri në vitin 1999, bëri që Kosova pas luftës të kryejë përnjëherë tri procese shumë të rëndësishme: tejkalimin e pasojave të luftës, ndërtimin e shtetit të ri demokratik dhe tranzicionin ekonomik kah një ekonomi e tregut me qasje liberale. Tranzicioni ekonomik në Kosovë filloi gati dhjetë vjet pasi kishte lëshuar shtat në të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit, në rrethana mjaft të ndryshuara ekonomike dhe politike.

Prania ndërkombëtare në Kosovë menjëherë pas luftës kontribuoi në tejkalimin emergjent të pasojave të luftës dhe në fillimin e procesit të konsolidimit, edhe pse gjatë gati 9 vjetëve të administrimit ndërkombëtar, përqendrimi i UNMIK-ut në problemet zhvillimore ekonomike nuk ishte në harmoni me pritjet e qytetarëve të Kosovës.

Ne pas luftës përjetuam një gjendje shumë të rëndë ekonomike. Ekonomia ishte shkatërruar dhe plaçkitur, si rezultat i okupimit dhjetëvjeçar dhe i pasojave të luftës. Mbi dhjetë vjet nuk ishte investuar dhe nuk ishin shlyer borxhet ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare. Trashëguam një papunësi shumë të lartë (mbi 50 për qind) dhe një gjendje ku shkalla e varfërisë arrin gati 50 për qind , ndërkaq varfëria ekstreme prej 15 për qind .

Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe pranimi i Kosovës nga shumë vende evropiane dhe botërore ka hapur mundësi për perspektivë shumë më të mirë zhvillimore. Mbi tre të katërtat e vendeve që kanë pranuar Kosovën janë nga Bashkësia Evropiane, përfshirë shtetet më të zhvilluara botërore. Shtetet që kanë pranuar Kosovën prodhojnë rreth 80 për qind të GDP-së botërore.

Kosova po angazhohet për krijimin e parakushteve për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese, me një infrastrukturë të re ligjore të ekonomisë së tregut me qasje mjaft liberale. Po zhvillojmë një sektor privat mjaft dinamik, sidomos në shërbime.

Hapjen e Kosovës ndaj tregut botëror ne e konsiderojmë si mundësi që ekonomia jonë të pozicionohet me përparësitë konkurruese, me eksporte më të mëdha të produkteve dhe shërbimeve dhe bazuar në resurset e saj, të bëhet tërheqëse për investimet e jashtme të drejtpërdrejta.

Prioritetet e qeverisë janë rritja ekonomike, qeverisja e mirë, zbutja e varfërisë dhe stabiliteti social. Këto prioritete i kemi përfshirë edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Kosova ka arritur që të gjitha nevojat e veta t’i mbulojë nga të hyrat vetjake buxhetore, por qëndrueshmërinë buxhetore e konsiderojmë të kushtëzuar me zhvillimin dhe rritjen ekonomike.

Ngritja e GDP-së dhe ulja e papunësisë janë ndër sfidat themelore të shtetit të ri të Kosovës. Ne kemi shpallur tolerancën zero për korrupsionin, sepse qëllimi ynë themelor është integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike. Kemi resurse njerëzore të cilat paraqesin potencial të rëndësishëm për rritje ekonomike, ku rreth 52 për qind të popullsisë sonë janë nën moshën 27-vjeçare.

Me qëllim të krijimit të kushteve për rritje ekonomike, jemi përqendruar në energji dhe miniera, transport, sundim të ligjit, edukim dhe bujqësi. Ngritja e kapaciteteve të reja të energjisë elektrike është një nga projektet me prioritet të bashkëpunimit me partnerë të jashtëm. Kosova posedon burime të pashtershme të linjitit dhe mineraleve të shumta, në të cilat mund të investohet.

Përkundër pritjeve dhe paralajmërimeve për rënien e rritjes ekonomike, për shkak të tërheqjes së UNMIK-ut dhe rënies së donacioneve, Kosova realizoi një rritje ekonomike dhe përmirësoi GDP-në për kokë të banorit edhe në dy vitet e fundit. Rritja reale e GDP-së në vitin 2008 ishte 5.4 për qind. Ekonomia jonë është liberale, ajo zbaton rregullat e ekonomisë se tregut dhe është e hapur për të gjithë investitorët e jashtëm. Kosova ka mbi 2000 kompani, ku pronarë janë të jashtmit, apo ku kapitali është i përzier.

Synim yni parësor është krijimi i shtetit funksional demokratik, ekonomikisht të qëndrueshëm dhe shumetnik. Jemi në proces të themelimit të komunave të reja dhe po bëjmë decentralizimin e përgjegjësive, në mënyrë që qeveria të jetë më afër qytetarëve. Duam të forcojmë integrimet rajonale me të gjithë fqinjët tanë dhe të shpejtojmë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Konferenca e donatorëve e vitit të kaluar, ka siguruar rreth 1.2 miliard euro si bazë të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës. Ne do të krijojmë të gjitha kushtet për të intensifikuar aktivitetin me të gjitha shtetet për implementimin sa më efiçient të mjeteve nga Konferenca e Donatorëve.

Privatizimi i deritanishëm ka përfshirë mbi tri të katërtat e ndërmarrjeve ekonomike shoqërore. Disa nga ndërmarrjet e privatizuara po tregojnë suksese shumë të mira, disa të tjera janë në fazën e konsolidimit. Tani kemi filluar me zbatimin e qeverisjes korporative në ndërmarrjet publike të korporatizuara, ato qendrore dhe lokale.

Infrastruktura ligjore e biznesit në vendin tonë është në harmoni të plotë me standardet e Bashkësisë Evropiane, prandaj e konsiderojmë si njërin nga faktorët krucialë të zhvillimit. Kosova është anëtarësuar në CEFTA dhe është duke përfituar nga projekte dhe marrëveshje të tjera ekonomike me BE-në.

Këto marrëveshje Kosovën e bëjnë një vend shumë tërheqës për tregti dhe investime. Megjithatë, pas shpalljes së pavarësisë vazhdojmë të ballafaqohemi me sjellje të njëanshme të Serbisë, e cila shkel rregullat e CEFTA-s dhe nuk pranon mallrat me origjinë nga Kosova.

Kemi implementuar praktikat më të mira ndërkombëtare për rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare të Kosovës, si dhe kemi krijuar një sistem krejtësisht të ri bankar, në të cilin dominojnë bankat me kapital të jashtëm. Mund të them se shumë investitorë të jashtëm interesohen për investime në sektorin financiar për arsye të sigurisë dhe rritjes së këtij sektori. Përmes euros Kosova po arrin të kontrollojë inflacionin dhe të promovojë stabilitet financiar.

Sa i përket bilancit tregtar, Kosova importon rreth 1.8 miliard euro produkte nga vendet e tjera, por jemi të interesuar të rrisim pjesëmarrjen e produkteve dhe shërbimeve tona dhe ta përmirësojmë këtë këmbim, sidomos me vendet e BE-së dhe me rajonin.

Me Republikën e Turqisë kemi një bashkëpunim ekonomik mjaft dinamik. Në Kosovë veprojnë rreth 300 kompani të regjistruara turke me rreth 2.300 të punësuar. Ne presim që të shtohet edhe më bashkëpunimi i dyanshëm ekonomik, sikurse me Turqinë, ashtu edhe me vendet e tjera. Prandaj, u bëj thirrje vendeve, përfaqësuesit e të cilave janë prezentë në këtë forum, që ta thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të investojnë në Kosovë.

Kosova u ofron investitorëve të jashtëm një treg mjaft liberal, një sistem të thjeshtë tatimor sa u përket normave dhe llojeve të tatimeve, tatime të ulëta në të ardhura të korporatave, në paga dhe mbi vlerën e shtuar si dhe mundësi të lehta për themelim biznesi. Kosova ka një forcë punuese të re, konkurruese dhe fleksibile, treg liberal të punës, një lokacion qendror në Ballkan, telekomunikim modern. Siguria e investimeve në vendin tonë është e plotë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Anëtarësimi në këto institucione, i cili besojmë se do të realizohet shumë shpejt, do të shërbejë si një garanci e ardhshme për stabilitet. Kemi nevojë të krijojmë burime më cilësore të financimit, sidomos sa u përket afateve më të gjata dhe normave konkurruese të interesit. Po ashtu lypset një diversitet i burimeve të financimit të zhvillimit ekonomik, i bazuar jo vetëm në tregun bankar, por edhe në atë të kapitalit. Duke e konsideruar shumë të rëndësishëm anëtarësimin tonë në këto dy institucione, ne vlerësojmë lart përkrahjen që vendet tuaja do t’ia japin Kosovës.

Ndryshimet strukturore në ekonomi në këtë periudhë të tranzicionit si dhe gjendja e trashëguar pas luftës është shprehur mjaftë ashpër në shkallën e lartë të papunësisë. Zvogëlimi i shkallës së papunësisë, e cila aktualisht sillet rreth 35 për qind , ndërlidhet me arritjen e normës së rritjes vjetore ekonomike prej së paku 7 për qind, përqindje e cila mund të arrihet me investime më të mëdha, sidomos ato direkte në Kosovë, për çfarë na nevojitet një përkrahje më e madhe.

Një fushë e rëndësishme e investimeve në Kosovë është ajo në infrastrukturë. Viteve të fundit kemi investuar mjaft në ngritjen e infrastrukturës rrugore, për të krijuar kushte më të mira të lidhjes së lokaliteteve brenda shtetit tonë. Me prioritet kemi dy autostrada, njërën Merdar-Morinë, që lidh Kosovën me portin e Durrësit në Adriatik dhe tjetra Prishtinë-Shkup, që lidh Kosovën me Bullgarinë, Turqinë dhe Detin e Zi.

Jemi koshientë për problemet dhe pasojat e krizës financiare, e cila ka marrë përmasa të krizës globale ekonomike. Pasojat e krizës vërehen te fondet e Kosovës të plasuara në tregun botëror të kapitalit, te zvogëlimi i remitencave dhe rënia e vëllimit tregtar dhe investimeve. Pasojat e krizës do t’i përballojmë më lehtë, nëse do të krijojmë kushte për një lëvizje më të lirë të të gjitha resurseve, e kam fjalën veçmas për lëvizje të lirë të kapitalit dhe të punës. Kufizimet në lëvizje, të cilat po aplikohen ndaj disa vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, po tregohen të dëmshme jo vetëm për vendin tim, por mund të kenë konsekuenca edhe për vendet e tjera evropiane nga aspekti social dhe i stabilitetit. Prandaj e konsideroj me prioritet liberalizimin e lëvizjes së njerëzve, si parakusht jo vetëm të rritjes së sigurisë përmes një kontrolli më të mirë, por edhe të zhvillimit ekonomik. Personalisht jam shumë i interesuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal, ndaj kam dhënë idenë për liberalizimin e mëtejmë të kufijve dhe formimin e një lloj zone mini-Schengen për të gjitha vendet e rajonit, si një dëshmi jona e përbashkët për lëvizje drejt proceseve integruese.

Të nderuar miq,

Ndërkohë që Kosova po pret edhe konfirmimin zyrtar për anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë që sa më parë ta bëjnë këtë, sepse kështu do të kontribuonin drejtpërdrejt për forcimin e paqes, të sigurisë dhe të prosperitetit të gjithë rajonit tonë.

Politika e vendit tim është politikë e paqes dhe e integrimit. Ne punojmë çdo ditë që Kosova të bëhet pjesë e proceseve integruese euroatlantike, që është përcaktim yni i fuqishëm. Anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian dhe në NATO mbetet synimi themelor për të ardhmen. Kosova do të jetë një vend me ekonomi të hapur. Ne kemi për synim të zhvillojmë një ekonomi konkurrente me vendet në rajon dhe vendet e tjera evropiane dhe botërore, në fushat ku Kosova ka përparësi krahasuese. Do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit të të rinjve, në mënyrë që ata të bëhen konkurrues në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Do të ndjekim një politikë të qëndrueshme qeveritare sa i përket legjislacionit ekonomik dhe të drejtës së pronës. Ne ju mirëpresim të investoni në vendin tonë.

/Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Forumin Ekonomik Euro-Aziatik/