Pavarësisht tentativës së 12-të, Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar, duke thelluar më tej krizën institucionale.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill, por prej atëherë janë miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës.


Ngërçi ka mbetur te pika e tretë, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar kalimin nga votimi i hapur në atë të fshehtë, por për shkak se komisioni për mbikëqyrjen e këtij procesi nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme, procesi është bllokuar.

Seanca e radhës do të mbahet më 9 maj ora 10:00

Telegrafi do t’ju mbajë të informuar rreth zhvillimeve edhe ditëve tjera. Faleminderit që na lexoni!/Telegrafi/

07/05/2025 11:13-Bajrami: Qeveria tranzicionale është zgjidhja e vetme

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së,  Hykmete Bajrami, ka theksuar se një qeveri tranzicionale është “e vetmja zgjidhje” për të dalë nga ngërçi institucional. Këto komente ajo i bëri pas dështimit të 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. “Qeveria tranzicionale kish me zhblloku situatën komplet dhe do të konstituoheshin institucionet. Do të kishte agjendë të qartë dhe afat të caktuar kohor.  Po presim përgjigje zyrtare nga liderët e partive për propozimin”, tha Bajrami. Lajmi i plotë KËTU.

07/05/2025 10:51-Krasniqi: LVV po e mban peng shtetin – Kurti të tregojë çfarë është më e rëndësishme, Albulena Haxhiu apo një milion votues

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të 12-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e mban peng shtetin. “Po e shihni që po vazhdon abuzimi i të drejtës kushtetuese që i takon partisë së parë për të propozuar një kandidat dhe në mungesë të shumicës parlamentare për ta zgjedhur atë kandidat, LVV e ka marrë shtetin peng dhe po e mbanë konstituimin e institucioneve peng”,ka thënë Krasniqi. Ai ka shtuar se është degradim që asnjë se kemi paramenduar se do të ndodhë ndonjëherë. “Ky është dhunim i verdiktit të qytetarëve të Kosovës, pasnesër bëhen tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve që kanë prodhuar këtë përbërje të Kuvendit që ka për obligim të konstituoj Kuvendin. Tendenca imponuese e LVV-së, mospajtimi i tyre që nuk kanë dhe nuk do të kenë shumicë parlamentare po e mban peng këtë proces dhe ka lënë Kosovën pa institucione”, tha Krasniqi. Lajmi i plotë KËTU.

07/05/2025 10:38-Për të dymbëdhjetën herë dështon konstituimi i Kuvendit

Për të dymbëdhjetën herë me radhë ka dështuar të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari deklaroi se procesi ka mbetur pa zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Ai po ashtu kërkoi nga subjektet politike të propozojnë kandidatët për komisionin zgjedhor për kryetaren e Kuvendit, ndërsa PDK, LDK, AAK, Lista Serbe refuzuan të propozojnë kandidatët. Kësisoj seanca dështoi, subjektet e lartëcekura kanë kundërshtuar që votimi i kandidates për kryeparlamentare të bëhet në mënyrë të fshehtë. Seanca do të vazhdojë pas 48 orësh.

07/05/2025 10:32-Partitë joshumicë me vërejtje për LDK-në: Përjashtimi jonë, nuk është në frymën e Republikës

Deputeti i Kosovës, Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, ka folur në emër të partive politike të komunitetit joshumicë lidhur me propozimin e LDK-së për qeveri të tranzicionit. Krasniqi pati kritika për kryetarin e LDK-së për të cilin tha se i ka përjashtuar partitë e komuniteteve joshumicë nga ky propozim. “Jemi si zakonisht për formimin e institucioneve sa më parë dhe sa më shpejt. Po i përcjellim me vëmendje zhvillimet e fundit. Kemi një vërejtje të madhe në deklaratën për media të Abdixhikut ku i bënë thirrje vetëm partive shqiptare dhe përjashton partitë e komuniteteve joshumicë. Kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi. Lajmi i plotë KËTU.

07/05/2025 10:18-Haradinaj pranon konsulta për propozimin e LDK-së, por jo me Vetëvendosjen

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për qeveri të tranzicionit. Haradinaj tha se nuk ka asgjë të keqe që të ketë konsulta,mirëpo refuzoi që këto konsulta të bëhen edhe me LVV-në. “Dje e kam pa qëndrimin e LDK-së, ajo që mund të them është se e mirëpres mundësinë e konsulltave , se cila formulë e cili opsion atëherë qëndrimet ndryshojnë. Unë angazhohem për qeveri të opozitës, vazhdoj të mbes në këtë qëndrim. Jam i hapur për konsulta me partitë opozitare", tha Haradinaj. Lajmi i plotë KËTU.

07/05/2025 10:15-Limaj para nisjes së seancës: Ka lëvizje, të shohim se çfarë lëvizje janë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është deklaruar para nisjes së seancës konstituive. Ai tha se ka pasur zhvillime ditëve të fundit. “Ka lëvizje, të shohim se çfarë lëvizje. Nuk do të thotë se gjithmonë lëvizjet shkojnë në kahun e duhur, por të shohim”, tha shkurtimisht ai.

07/05/2025 10:07-Berisha: Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka kundërshtuar propozimin e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie të tranzicionit. Para mediave, Berisha tha se Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në, transmeton Telegrafi. “Unë mendoj që Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku janë dy anët e të njëjtës medalje. Ky po na fton neve, sepse nuk po guxon me shku vet, e me nda fajin për asociacion e po na thotë hajdeni krejt bashkë e ta marrim përgjegjësin bashkë. Unë nuk jam i interesuar ta marrë fajin, edhe nuk ka nevojë me na thirr ta bëjmë qeverinë me ta”, pohoi ai. Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit pritet të fillojë në ora 10:00./Telegrafi/

07/05/2025 10:04-Rexhaj i LVV: LDK po dëshiron të kthehet prapa, nuk dëshiron të ecë para pa PDK-në dhe AAK-në

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj para nisjes së seancës konstituive tha se Lidhja Demokratike e Kosovës në vend të propozojë të ecet përpara, me idenë e tyre për qeveri të tranzicionit po propozojnë të shkojnë prapa. “Kot...Në  vend të ecim përpara ata propozojnë të shkojnë prapa...”, tha Rexhaj, kur u pyet për idenë e LDK-së për qeveri të tranzicionit. "...Ajo që po propozon LDK është ta themi devijim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ne e kemi dëshmua se nuk jemi bllokues dhe në formë transparente kemi kërkuar koalicion... LDK po dëshiron të kthehet prapa dhe nuk dëshiron të ecë para pa PDK dhe AAK...”, tha ai. Lajmi i plotë këtu:

07/05/2025 10:00-Peci: Kosova nuk ka nevojë për qeveri të tranzicionit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e listës Guxo, Faton Peci ka komentuar propozimin e LDK-së për një qeveri të tranzicionit. Peci ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për një qeveri të tillë. Ai ka thënë se duhet ezauruar çdo mundësi që të formohet Qeveria Kurti 3 e më pas nëse nuk ndodh, sipas tij, ftesën që e bëri Abdixhiku i takon ta bëjë kandidat për kryeministër i PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza. “I pari që i ka fitu zgjedhjet, Albin Kurti, e ka mundësinë të afrimit të akterëve politikë se si ecet tutje. Në funksion të saj, i dërguar ftesë kryetarit të LDK-së, i cili e ka refuzuar kategorikisht takimin me Kurtin dhe ka ardh me një propozim. Derisa të ezauruohet mundësia që të kemi Kurti 3, nëse nuk ndodh, logjika politike dhe institucionale, një ftesë të tillë mund ta bëjë Bedri Hamza, por jo partia e tretë, e katërt apo e pestë. Kosova ka nevojë për qeveri stabile”, ka shtuar ai.

07/05/2025 09:53-Musliu: LDK frikësohet të marrë vendime, s’po guxon as me VV-në e as me ne

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka folur për propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku që të formohet një qeveri e tranzicionit. Musliu ka thënë se qëndrimi i saj personal është se LDK frikësohet të marrë vendime. “Qëndrimi im personal është se LDK gjithmonë duke u frikësuar me marr vendime e ka lënë Kosovën shumë mbrapa, as nuk shtyhet as nuk ngrehet që thot popullo. Ata as nuk po guxojnë me u bo me Albinin as me ne, duhet të jetë një lider që tregon pjekuri dhe te pozicionohet njëherë e mirë kjartë”, ka thënë Musliu. Lajmi i plotë KËTU.