Prishtina po kalon nëpër një periudhë të vështirë, përkatësisht nëpër një krizë të rezultateve. Bardhekaltrit gjenden në vendin e parafundit të renditjes tabelore, me vetëm shtatë pikë të tubuara prej shtatë ndeshjeve të zhvilluara.

Në pyetje është klubi më i madh i Kosovës dhe kjo ka bërë që të gjithë të pyesin se çka po ndodh me FC Prishtinën, e cila gjithmonë ka luftuar për trofe.


Por, atyre që po e parashtrojnë këtë pyetje, Afrim Muçiqi ua ka bërë një tjetër pyetje. “Kush po u thotë që Prishtina nuk është kandidate për kreun e tabelës?”, thotë Muçiqi në një bisedë me “Zërin”.

Në këtë mënyrë ai tregon se klubi kryeqytetas nuk është në panik. “Ju lutem, Kampionati veç sa ka filluar. Shikojeni Spanjën, ku prin Villareali e deri më tani Celta Vigo ishte para Real Madridit e Barcelonës. Aktualisht janë njëjtë me pikë. E njëjta po ndodh edhe në Kosovë. Por, shumë shpejt Prishtina do të ngrihet atje ku e ka vendin, pra në krye”, thekson nënkryetari i këtij klubi.

Madje ai vazhdoi me deklarata të pazakonta. “Pozicioni aktual, i përkohshëm i Prishtinën, na shërbeu për të parë se sa shumë njerëz, analistë e gazetarë paskan dëshirë ta shohin Prishtinën sa më keq që është e mundur. Por, ju garantoj se të gjithë do të dëshpërohen. Prishtina do të ngrihet dhe vetëm dashamirët e saj do të buzëqeshin”, shprehet ai.

Muçiqi thekson se Prishtina gjithmonë do të mbetet fuqi kryesore në futbollin kosovar. “Sa herë kemi dashur jemi bërë kampionë dhe sa herë do të duam sërish do të bëhemi kampionë. Është diçka tjetër ajo që e respektojmë futbollin, duke u lënë nganjëherë rend edhe klubeve të qyteteve tjera, atyre më të vogla apo edhe klubeve të lagjeve. Por, në fund, ne bëhemi kampionë kur të duam”, potencoi ai.

Muçiqi ka folur edhe për skuadrën dhe shtabin teknik. Thotë se me angazhimin e lojtarëve Kryesia e klubit nuk është fort e kënaqur, derisa e lavdëron trajnerin, Ramiz Krasniqi, për punën që po e bënë.

“Me Ramizin po kalojmë shkëlqyeshëm. Sa u përket lojtarëve nuk jemi fort të kënaqur, sepse ata duhet të japin më shumë nga vetja për fanellën e Prishtinës, e cila vërtet peshon rëndë”, tha Muçiqi.

Muçiqi: “Plisat” nuk mashtrohen lehtë

Krizën e rezultateve të FC Prishtinës më së vështiri e kanë ta përballojnë tifozët e saj, “Plisat”, të cilëve Afrim Muçiqi u jep “gajret”.

“Unë jam i sigurt se ‘Plisat’ e dinë sa dashakëqij ka Prishtina, kështu që ata nuk bien lehtë pre e provokimeve dhe mashtrimeve. Ata e njohin më së miri klubin e tyre, sepse nuk janë tifozë sezonalë, por janë tifozët më besnikë në Ballkan. Kështu që ata e dinë mirë se Prishtina gjithmonë do të jetë më e forta”, pohoi nënkryetari i FC Prishtinës.

Muçiqi: S’kemi krizë financiare, përforcohemi në janar

FC Prishtina po kalon nëpër një krizë të rezultate për shkak se Kampionatin nisi pa shumë lojtarë që i shkuan gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa në dallim prej viteve tjera së fundmi nuk ishte aktive sa duhet në tregun e futbollistëve.

Afrim Muçiqi mohon që klubi të mos jetë përforcuar për shkak të krizës financiare.

“Jo, ajo nuk është arsyeje. Në fakt, krejt futbolli i Kosovës është në krizë, e cila sigurisht dhe normalisht se ndihet edhe në klubin tonë. Por, mos harroni se shpenzimet në klubin tonë janë shumë më të mëdha se në klube tjera. Ne jemi të vetmit që i paguajmë 12 muaj lojtarët, por gjithnjë ia dalim”, potencon ai.

“Sigurisht se do të ketë ndryshime, shkuarje dhe ardhje të reja. Kampionati është i gjatë dhe ne do të jemi aty ku e kemi vendin”, përfundoi Muçiqi. /Zëri/

telegrafi sport app